Presidenti serb Aleksandër Vuçiç I ka cilësuar akuzat e Prishtinës zyrtare në drejtim të nënkryetarit të Listës serbe, Milan Radojçiç për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviç si një përpjekje për të dobësuar mbrojtjen e veriut të Kosovës më qëllim sulmin ndaj serbëve.

 

Deklaratat Vuçiç I bëri për Radio Televizionin e Serbisë, ku theksoi se Radojçiç nuk ka lidhje me vrasjen.

 

“Beogradi prej kohësh e ka ditur se Radojçiç nuk ka kurrfarë lidhje me vrasjen e Ivanoviçit”, ka thënë Vuçiç për Radio Televizionin e Sebisë.

 

Duke u ndalur tek deklaratat e presidentit Thaçi, Vuçiç shprehet se qëndrimet e mbajtura nga kreu i shtetit të Kosovës në Tiranë tregojnë fare qartë se rasti, sipas tij, ka qenë I skenuar.

 

“Ata deshën të dëbojnë Radojçiçin për të dobësuar mbrojtjen serbe nga veriu i Kosovës, e dinin se Radojçiç është një nga figurat kyçe, deshën ta dëbojnë dhe të presin momentin e volitshëm për të sulmuar serbët në veri”, tha Vuçiç duke shtuar nuk ka fletëarrest të kuq kundër Radojçiçit.

 

Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit të kaluar në Mitrovicë. Për përfshirje në vrasjen e tij, institucionet e Kosovës kanë ngritur 4 aktakuza, një prej të cilave është kundër Radojçiçit. Ky i fundit i iku arrestimit dhe më pas u mor në pyetje në Serbi, pas së cilës u tha se me sukses kishte kaluar poligrafin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *