Subscribe

Ne sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka zgjedhur të flasë për Kosovën, edhe pse në rend dite ishte agresioni rus në Ukrainë.

 

Shpallja e Kosovës si shtet i lirë dhe i pavarur, të cilës Vuçiç i referohet si Metohi, sipas tij shënon përpjekjen e parë për copëtimin e Serbisë.

 

“Përpjekja për copëtimin e vendit tim, e nisur zyrtarisht në vitin 2008 me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë, është ende në vazhdim. Shkelja e Kartës së OKB-së në rastin e Serbisë ishte një nga pararendësit e dukshëm të problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi të gjithë sot, të cilat shkojnë shumë përtej kufijve të vendit tim apo të rajonit nga unë vij”, tha ai.

 

Ndonëse historia është shkruar njëherë e përgjithmonë, Vuçiç konsideron Serbinë si viktimë të superfuqive, duke mohuar në mënyrë kategorike sulmet ndaj Kosovës.

 

“ Serbia asnjëherë nuk ka shkelur në territorin e një shteti tjetër, as nuk ka kërcënuar ekzistencën e tij, por 24 vjet më parë, 19 nga më të fuqishmit dhe më të fortët prej tyre nuk kishin mëshirë ndaj Serbisë së vogël”, tha Vuçiç.

 

Në fjalën e tij, Vuçiç shprehet se Serbia nuk ka forcë ushtarake ndaj superfuqive, ndaj nuk i sfidon dot.

 

“Ajo që do të themi është se ne do t’i përmbahemi parimeve, do t’i përmbahemi respektimit të ligjit ndërkombëtar. Ne jemi një vend i vogël, nuk kemi asgjë tjetër për t’u kapur. Nuk kemi as koka bërthamore, as avionë të padukshëm, as aeroplanmbajtëse, asgjë nuk kemi nga këto dhe nuk mund të konkurrojmë me të mëdhenjtë në këtë drejtim, por ne kemi dëshirë të jetojmë në vatrat tona, në vatrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë dhe vetëm të jemi vetvetja në tonat”, shton ai.

 

Ndonëse i ftuar për të folur për Ukrainën, Vuçiç nuk dënoi në asnjë moment agresionin rus, ndërsa pozicionimi i tij mbetet i qartë që në krye të herës, Serbia refuzon të sanksionojë Rusinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *