Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiç tha se Asociacioni duhet të formohet “ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

 

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshjen e fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por mund të harmonizohet me akte ligjore.

 

Vuçiç tha se Asociacioni është parakusht edhe për hapat e mëtejshëm në dialog si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucione.

 

Presidenti serb tha se do të kërkohet reagimi urgjent i Bashkimit Evropian dhe institucioneve tjera në botë që institucionet në Prishtinë “ta ndërpresin menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve, automjetet e të cilëve shfrytëzojnë targa legjitime të Republikës së Serbisë.

 

“Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, theksoi Vuçiç.

 

Më 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensione për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë që të gjitha veturat me targa ilegale serbe, të riregjistroheshin në targa Republika e Kosovës – RKS. Tensionet u ulën pasi palët arritën një marrëveshje në Bruksel, përmes së cilës Prishtina hoqi dorë nga masat ndëshkuese që derivonin nga vendimi për targat, ndërkaq Beogradi hoqi dorë nga lëshimi i targave të reja për makinat që qarkullojnë në veri të Kosovës.

 

Një prej konkluzioneve të arritura në Rashkë, kërkon edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, i banuar me shumicë serbe. Në konkluza thuhet po ashtu se Serbia nuk ka marrë pjesë në vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, por se nuk dëshiron të dalë kundër këtij vendimi.

 

Shtohet se do të kërkohet që zgjedhjet të zhvillohen pas formimit të Asociacionit.

 

Pika e fundit e konkluzave është se Serbia do të marrë të gjitha “masat juridike, politike dhe ekonomike” për të siguruar mbrojtjen dhe të drejtat e serbëve në Kosovë.

 

Këto konkluza, sipas Vuçiçit, do të miratohen nga Qeveria serbe dhe institucionet do të jenë të obliguara që t’i respektojnë ato.

 

Stimuj ekonomikë për serbët në Kosovë

 

Gjatë takimit në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë, Vuçiç njoftoi për masa ndihmuese për komunitetin serb në Kosovë, që tha se do të financohen nga buxheti serb.

 

Vlera e përgjithshme e stimujve ekonomikë u tha se është 28 milionë euro dhe do të financohet nga buxheti i Serbisë.

 

“Në total janë 28 milionë euro, përveç gjithçka tjetër që kemi vendosur deri më tani dhe këto burime financiare janë në dispozicionin e juaj menjëherë. Këto janë gjëra me rëndësi jetike dhe do ta mbrojnë popullin tonë në Kosovë”, tha Vuçiç.

 

Në këtë takim, që ishte i hapur për publikun, morën pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.

 

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se rezultati i takimit do të jetë një “platformë e përbashkët” sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 23 prill në veri të Kosovës, por edhe “të ngjarjeve të ardhshme”.

 

Çfarë tha Vuçiç?

 

Në fillim të takimit në Rashkë, Vuçiç tha se serbët në Kosovë janë të “shqetësuar dhe të frikësuar”, gjë për të cilën akuzoi Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

 

“Kemi parë te njerëzit në Kosovë që janë të frikësuar. E dimë që ata nuk janë frikacakë. Por, ne po përpiqemi të tregohemi konstruktivë që ta ruajmë paqen”, tha Vuçiç, duke shprehur pikëpamjen e tij për gjendjen në veri të Kosovës.

 

“Kurti është angazhuar çdo ditë që të ndodhin gjëra të shëmtuara, incidente. Por, nuk është incident kur shtini në njeriun që ta vrisni”, tha Vuçiç, duke iu referuar plagosjes së një pjesëtari të komunitetit serb në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës, më 10 prill.

 

Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, por më pas njoftoi se ka suspenduar dhe arrestuar katër zyrtarë policorë, njëri prej të cilëve besohet se ka shtënë drejt një qytetari serb.

 

Thirrje për “unitet” para zgjedhjeve lokale

 

Duke folur për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, të caktuara për 23 prill, Vuçiç përmendi edhe mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje.

 

Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.

 

“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, tha ai.

 

Gjatë takimit ai tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

 

Vuçiç tha se duhet të formohet Asociacioni në mënyrë që serbët të kthehen në institucione.

 

Siç ka thënë ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë, por Vuçiç nuk ka treguar konkretisht se për çfarë masash bëhet fjalë.

 

Vuçiç kishte njoftuar për këtë takim në Rashkë javën e kaluar, kur ai tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova do të dalin me një “platformë të përbashkët” për zgjedhjet në veri të Kosovës “dhe për të gjitha ngjarjet e ardhshme”.

 

Presidenti serb po ashtu ka përsëritur se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet që planifikohen të mbahen më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

 

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

 

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.

 

Serbia ka dërguar propozimin në Bruksel për targat

 

Lidhur me targat e lëshuara nga autoritetet serbe për automjetet në Kosovë, Vuçiç tha se pala serbe, më 12 prill, ia ka përcjellë Brukselit “propozimin e fundit që është më shumë se një kompromis”.

 

“Nëse nuk e pranojnë, ne do të zbatojmë masa që do të jenë përgjigje domethënëse dhe serioze ndaj palës që përdor forcën dhe aparatin e saj të represionit, mbi të gjitha në veri të Kosovës”, tha Vuçiç.

 

Targat kanë qenë shkaktar i tensioneve në veri të Kosovës që nga viti 2022.

 

Kosova konsideron se targat e lëshuara nga autoritetet serbe janë të paligjshme. Shumica e targave të tilla janë në veri të Kosovës. Për këtë kontest, ndër të tjera, Beogradi dhe Prishtina po negociojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

 

Përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës arritën marrëveshje në Ohër, e cila përfshin “njohjen reciproke të shenjave të regjistrimit”, por riregjistrimi i automjeteve me targa serbe në targa të Kosovës, është bllokuar./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *