Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar këtë të dielë si një ndër ditët më të vështira të kombit serb. Në daljen e tij të parë pas sulmit ndaj uniformave blu në Kosovë, Vuçiç deklaroi se nuk po përpiqet të arsyetojë në asnjë mënyrë vrasjen e rreshterit shqiptar, pasi ky ishte një akt që nuk i nevojitej askujt.

 

“Nuk dua ta arsyetoj në asnjë mënyrë vrasjen e policit shqiptar. Kjo është dicka që nuk iu desh askujt”.

 

Vuçiç theksoi se autoriteteve serbe iu desh kohë për të hetuar atë që ndodhi në veri, në mënyrë që të paraqiste të vërtetën para popullit. Ai shtoi se disa serbë të Kosovës u rebeluan duke ngritur barrikada dhe duke nxitur më pas reagimin e policisë së Kosovës.

“Na u desh shumë kohë që të hetojmë vetë se çfarë ka ndodhur në Kosovë e Metohi, çfarë ka ndodhur sot në mëngjes, gjatë paradites dhe pasdites, në mënyrë që t’i tregojmë të vërtetën njerëzve dhe të përgatisim terrenin për marrjen e vendimeve të duhura” “Në orën 08:57 u mbyllën vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak. Të shtënat dhe përleshjet vazhdojnë ende. Në orën 10:15, autoritetet shqiptare njoftuan se katër komuna në veri janë zona e një operacioni antiterrorist,” shtoi presidenti serb.

 

Ai theksoi se ka paralajmëruar në Bruksel dhe Nju Jork se përshkallëzimi mund të ndodhte.

 

Tre sulmues janë vrarë dhe pesë janë arrestuar pas të shtënave gjatë natës në hyrje të fshatit Banjskë në veri të Kosovës , ku sipas drejtorisë së policisë, një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *