Kryeshkencëtari iranian i armëve bërthamore është ekzekutuar në një atentat në afërsi të Teheranit. Mohsen Fakhrizadeh dyshohej prej kohësh nga vendet perëndimore dhe Izraeli si organizatori i një programi të fshehtë të bombës bërthamore, i cili u pezullua në vitin 2003.

 

Vrasja rrezikon të rrisë më tej tensionet në Lindjen e Mesme, pasi jo më larg se një vit më parë Irani dhe SHBA u ndodhën në prag të luftës. Ngjarja ndodh ndërkohë që Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të inaugurohet në muajin janar dhe ka të ngjarë të komplikojë përpjekjet e tij për ta kthyer Amerikën në marrëveshjen bërthamore me Iranin.

 

Një këshilltar ushtarak i udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei akuzoi Izraelin për vrasjen dhe tha se kjo ishte një përpjekje për të provokuar luftë. Ai u zotua për hakmarrje ndaj personave që kryen atentatin. Sipas medias shtetërore, makina ku ndodhej Fakhrizadeh u qëllua nga persona të armatosur dhe ai vdiq nga plagët në spital.

 

Ministri i jashtëm iranian Javad Zarif e quajti vrasjen një akt terrori shtetëror dhe la të kuptohet se në të kishte rol Izraeli.

 

Në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore në vitin 2015 thuhej se Fakhrizadeh mbikëqyri aktivitetet “në mbështetje të një dimensioni të mundshëm ushtarak të programit bërthamor (të Iranit)” brenda të ashtuquajturit Plani AMAD.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *