Ka marrë fund pas tre ditësh arratia e Azgan Mërnicës, 23-vjeçari që qëlloi për vdekje efektivin e shqiponjave Novruz Cenaliaj.
Mbrëmjen e djeshme, pas kërkimeve të shumta në disa zona të Fierit nga policia dhe forcat Renea, ai u vetëdorëzua nga familjarët.
Këto janë momentet e filmuara nga të afërmit e të riut, që tregojnë 23-vjeçarin duke hipur në një makinë ku ndodhej edhe një prej efektivëve që bëri negocimin
Azgan Mërnica është shfaqur i qetë dhe madje i buzëqeshur, ndërsa familjarët i jepnin kurajo.
“Hajde zoti para”.
Por jo vetëm kaq. Në sy të policisë, familjarët i treguan se ata do t’i garantonin gjithçka edhe duke qenë pas hekurave.
“Të luajti njeri atje…”
“Është në besën time.”
Në fillim të afërmit e të riut nuk ishin bashkëpunues me policinë për ta bindur autorin të vetëdorëzohej. Por pasi RENEA lokalizoi zonën ku ndodhej ai, situata ndryshoi. Familjarët kuptuan se RENEA mund të ndërhynte për neutralizimin e 23-vjeçarit i cili ishte i armatosur, ndaj dhe pranuan të negocionin.
Fill pas kësaj, Azgan Mërnica u gjet në fshatin Dërmenas ku babai i tij dhe një nga efektivët e bindën të riun të dilte vetë.
Në dëshminë e dhënë në polici, 23-vjeçari pranoi krimin e rëndë.
“Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe u shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke.”
Autori tregoi edhe se çfarë kishte bërë pas ngjarjes.
“U largova në këmbë në kanale. Kam lëvizur në këto kanale për 48 orë, duke u fshehur. Po më hahej dhe bukë pasi kisha dy ditë pa ngrënë. Ika te shtëpia e dajës dhe këta kishin njoftuar policinë, sepse kishin frikë se po më vriste Renea. “
Ndaj 23-vjeçarit Azgan Mërnica rëndojnë akuzat e “Vrasjes së punonjësve të policisë së shtetit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”./vizionplus.tv




