Gjykata e Apelit i ka ulur dënimin Granit Shehut me 3 vite e 8 muaj burg.

Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Granit  Shehu dënohet me 13 (trembëdhjetë)  vjet e 4 (katër ) muaj burgim. Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit të tij. njofton Gjykata e Apelit.

Vitin e kaluar Interpol Tirana ekstradoi drejt vendit tonë Granit Sheun. Ai ishte shpallur në kërkim dërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e dënoi me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”.

Granit shehu akuzohet për vrasjen e kushëririt  të tij, Milazim Shehu. Graniti e qëlloi 12 herë me thikë djalin e xhaxhait, Milazim Shehu,i cili mbante detyrën inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke i shkaktuar vdekjen.

Autori e dërgoi kushëririn e tij në spital, ku deklaroi se e kishin kafshuar qentë. Ngjarja ndodhi me 16 shtator të 2015, kur pas një konflikti për shkaqe banale dy kushërinjtë janë konfliktuar me njeriu-tjetrin.

Si shkak sipas hetimit të prokurorisë ka shërbyer, një pretendim i autorit të krimit Granit Shehu se vajza e të ndjerit, i kishte vjedhur në banesë një sasi prej 12 mijë lekësh të reja. Një pretendim i tillë, nuk është pranuar nga pala e Milazim Shehut.

Njoftimi i Gjyklates

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale G (G). Sh, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim’’, të parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 16.09.2015, në rrugën “Horizonti”, të Bashkisë Kamëz. Shtetasi me iniciale M. Sh është goditur nga i pandehuri G. (G). Sh (kushëriri i tij), disa herë me mjete të forta dhe prerëse, duke i shkaktuar atij plagë të rënda, deri në humbjen e jetës.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane, me vendimin nr. 3314, datë 31.10.2016 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”,  dhe në bazë të nenit 78/2 të  Kodit Penal e dënon atë me 24 (njëzetekatër) vjet burgim.

2. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, pas uljes së dënimit me 1/3, i pandehuri G (G). Sh dënohet me një dënim të vetëm përfundimtar prej  16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.

3. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga data e arrestimit.

Çështja në apel është shqyrtuar mbi bazën e ankimeve:

1.Nga Prokuroria  pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkoi:

– Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor  Tiranë ndaj të pandehurit me iniciale G (G). Sh .

-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh ., për kryerjen e veprës  penale “Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje në dëm të shtetasit me iniciale M.SH”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

-Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.Nga i pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh  i cili kërkoi :

-Deklarimin fajtor të të pandehurit me iniciale G (G). Sh për veprën penale të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal “ Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike” apo 83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse.

Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 2082, datë 03.10.2018 ka vendosur:

-Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 3314, datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, kanë ushtruar rekurs :

1.Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Tiranë e cila kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim kësaj gjykate”.

2. I pandehuri me iniciale me iniciale G (G). Sh  i cili ka kërkuar:

-Prishjen e vendimit nr.2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim duke urdhëruar ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale nga neni 78/2 të K.Penal “Vrasja me paramendim” në veprën e parashikuar nga neni 82 të K.Penal “Vrasja në kushtet e tronditjes së fortë psikike” ose neni  83 i K.Penal “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe dënimin e tij sipas dipsozitave përkatëse.

Gjykata e Lartë bazuar në nenin 112/3 , të K.Pr.Penale  ka konstatuar palvefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për mungesë të arsyetimit  lidhur me cilësimin ligjor të veprës penale  të “Vrasjes me paramendim”, të parashikuar nga neni 78/2 të K.Penal, dhe me vendimin nr. 298, datë 07.11.2023  ka vendosur:

“Prishjen e vendimit nr. nr. 2082, datë 03.10.2018 të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Pëegjithshëm, me tjetër trup gjykues”.

Në përfundim të gjykimit, më datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 3314 , datë 31.10.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si vijon:
-Deklarimin fajtor të të pandehurit G (G). Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni  76 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.

-Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri G (G). Sh denohet me 13 (trembëdhjetë)  vjet e 4 (katër ) muaj burgim.

-Vuajtja e dënimit fillon nga data e arrestimit të tij.

/vizionplus.tv/ 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *