Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të dyshuarit e arrestuar për vrasjen e Petrit Ndout, ngjarje e ndodhur më 20 janar pas një konflikti banal në aksin Fushë-Krujë – Mamurras.
Autor i dyshuar i vrasjes është Andi Vokrri, 28 vjeç, i cili, sipas hetimeve, ka goditur disa herë me çekiç Ndoun, duke e lënë të vdekur në vend.
Përveç tij, janë arrestuar edhe Lorenc Goga, 26 vjeç, dhe Fation Kulla, 23 vjeç, shokë të Vokrrit, të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi”.
Ngjarja ka nisur nga një konflikt verbal mes tyre për të përcaktuar se kush do të kalonte i pari me makinë. Incidenti ndodhi në aksin Thumanë-Krujë, në një rrugë rurale pranë fshatit Bushnesh.
Andi Vokrri u arrestua menjëherë nga policia. Në dëshminë e tij ai ka deklaruar se ngjarja ka dalë jashtë kontrollit dhe se nuk kishte qëllim të vriste 57-vjeçarin.





