Vrasje e foshnjës. Kjo është akuza e vetme që policia e Korçës ka ngritur për 40-vjeçaren Valmira Hasimllari.

 

Burime zyrtare pranë drejtorisë Vendore të Policisë bëjnë me dije se materialet për ngjarjen me këtë akuzë janë referuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor të Korçës.

 

Do të jetë organi i akuzës ai që do të dalë në përfundimin e një vepre të tillë penale ose do të ndryshojë klasifikimin e kësaj vepre të rëndë nisur nga rrethanat dhe gjendjen shëndetesore të 40-vjeçares.

 

Ajo çfarë është siguruar ka të bëjë me lindjen normale të fëmijës çka do të thotë se fëmija ka lindur i gjallë.

 

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Vizion plus, se lindja është bërë pa asistencë të personave të tjerë.

 

Nisur nga hemoragjia e madhe pas lindjes mësohet se ka qënë vetë 40 vjeçarja ajo që ka kërkuar ndihmë tek persona të tjerë për ta çuar në Spitalin e Korçës.

 

Policia po heton se cilët kanë qënë personat që i kanë dhënë asistencë pas lindjes dhe nëse kanë pasur dijeni për ngjarjen e rëndë të ndodhur me fëmijën e sapolindur.

 

Prokuroria e Korçës është në pritje të përgjigjes përfundimtare të ekzaminimeve të mjekësisë ligjore.

 

40 vjeçarja vazhdon të jetë në spitalin psikiatrik të Elbasanit nën kujdesin e mjekëve pa qënë në gjendje të japë sqarime rreth krimit të kryer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *