Ekzekutohen me breshëri kallashnikovi dy persona brenda makinës së tyre në aksin Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Panaja.

 

Ata janë qëlluar për vdekje nga një tjetër mjet në ecje. Viktimat janë identifikuar si Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Emra të njohur për policinë, të përfshirë në disa veprimtari kriminale, si edhe në vrasje.

 

Mjeti tip “Benz” është goditur me breshëri nga mbrapa dhe ndaj tyre janë shkrepur mbi 60 plumba.

 

Për pasojë makina ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Hetuesit dyshojnë se kanë qenë të paktën 3 persona, një shofer dhe dy të tjerë që kanë qëlluar me kallashnikov.

 

Pas krimit mafioz, në vendin e quajtur Cerven të Fierit, është gjetur i shkrumbuar nga flakët një mjet tip “ BMV” me targa italiane, që mendohet se i përket autorëve. Ndërsa brenda makinës janë gjetur 3 armë zjarri.

 

Mënyra e organizimit të krimit si dhe brutaliteti i shfaqur në ekzekutim është i njëjtë me ekzekutimet mafioze të mëparshme ne vend, të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë zbardhur nga policia.

 

Hetuesit dyshojnë se autorët pas djegies së mjetit, janë larguar me një tjetër makinë në drejtim të Tepelenës.

 

Zona ku është djegur makina është pa kamera sigurie, çka e bën të vështirë identifikimin e automjetit me te cilin janë larguar autorët.

 

Shpati Lena ishte arrestuar para pak kohësh nga policia pasi u kap me armë, por më pas u la me detyrim paraqitje.

 

Por ai ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e Arben Beqirajt, pronari i një lokali në plazhin e Vlorës. Kjo ngjarje ka ndodhur në verën e vitit 2019. Grupi i Shpati Lenës, vrau Arben Beqirajn pas një sherri për kalin e Eduart Xhezos që hyri në plazh.

 

Pikërisht lidhur me ngjarjet e kaluara, dyshohet se shkak të jetë hakmarrja. Viktimat gjatë gjithë kohës lëviznin me mjete të blinduar, por në momentin që ata kanë ndërruar makinë, rasti është shfrytëzuar nga autorët, qw besohet se i vëzhgonin prej kohësh.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *