Subscribe

Zbardhen të tjera detaje për tre vrasësit me pagesë të arrestuar një ditë më parë në qytetin e Durrësit. Nga hetimet, mësohet se krimi i parandaluar të martën në Manzë, e ka zanafillën në një përplasje të hershme mes grupeve kriminale qe merreshin me trafikun e drogës. Sipas policisë, aktiviteti i dy bandave ishte i përqendruar kryesisht në Itali, Spanje e Holandë dhe konfliktet nder vite për zonat e influencës kanë prodhuar disa ngjarje te renda kriminale. Përplasjet nisin në 2013 në Shijak ku mbeti i vrarë Elvin Kërtalli dhe u plagos rëndë Dorian Beqiri. Shënjestër e atentatit ishte Beqiri, por breshëria i mori jetën shokut të tij 37-vjeçar. Sipas policisë, ngjarja e ndodhur në qendër të Shijakut, kishte si motiv larjen e hesapeve të drogës, por nuk përjashtohej dhe hakmarrja pasi Kërtalli dhe Beqiri janë akuzuar më parë për vrasje në Itali dhe Zvicër, por për mungesë provash, ata u lanë të lirë nga autoritetet.
Një vit më pas në korrik, Roland Farruku, vëllai i një të akuzuari për trafik droge në Spanjë e Holandë i shpëtoi një atentati ne Maminas. 37-vjeçari u qellua me arme zjarri ne nje prite, ndërsa ishte ne lëvizje ne aksin Manes-Maminas. Familjes se tij ne 2012 iu sekuestrua një pronë në Gjirin e Lalëzit, me pretekstin e pasurive te blera nga aktiviteti i drogës. Në korrik të 2015 në një tjetër atentat këtë radhë në Tiranë, shënjestër ishte vëllai i 37-vjeçarit, Kreshnik Farruku i cili mbante mbiemrin e bashkëshortes Budlla. 2 persona të armatosur qëlluan në drejtim të lokalit në zonën e “Don Boskos” ku qëndronte 41-vjeçari, por plumbat plagosën gabimisht një vajzë. Farruku kishte pak ditë që ishte kthyer nga Spanja ku kishte përfunduar disa vite burg ndërkohë që më parë ishte dënuar dhe në Itali për trafik droge. Por atentatet, nuk do të përfundonin me kaq. Në dhjetor të vitit që lamë pas, përplasja mes dy bandave solli dy të plagosur në Holande. Shkaku, i të gjitha këtyre ngjarjeve sipas policisë, janë prishja e pazareve për trafikun e drogës dhe konkurrenca mes tyre për zonat e tregtimit. Të martën, policia e Durrësit arrestoi Gazmend Dervishin, Dritan Nikollin dhe Bruno Shehun, të tre persona me të shkuar kriminale. Ata dyshohet se janë paguar nga një prej grupeve kriminale për ekzekutimin e radhës, por nuk përjashtohet edhe mundësia që ata të jenë pjesë e bandës së narkotrafikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *