Pas lajmit për vrasjen e zyrtarit serb në Kosovë dhe mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, presidenti i Serbisë Aleksadër Vucic, në një deklaratë për media, është shprehur se vrasja e Oliver Ivanovic është një akt terrorist dhe ka kërkuar rikthimin e autoriteteve të Beogradit në veriun e Kosovës, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

 “Për shtetin e Serbisë, ky akt është terrorist, dhe sipas atij akti, ne do ta trajtojmë si të tillë atë. Autorët e këtij akti do të kapen edhe nëse nuk e bëjnë ata që e kanë për detyrë këtë gjë, pra autoritetet e Kosovës, do ta bëjmë ne, sepse ne jemi të bindur se vetëm kështu do të arrijmë në zbulimin e së vërtetës për vrasjen e Oliver Ivanoviçit. Ne do të gjejmë vrasësin. Unë nuk kam autoritetin të flas për momentin në lidhje me njohuritë që kemi. Nuk do të spekuloj, por ka detaje interesante që tregojnë për autorët e mundshëm. Sot u  vra një njeri i cili është një prind, bashkëshort, dhe që sigurisht nuk ishte ai i cili bëri thirrje për konfliktin mes serbëve dhe shqiptarëve. Kushdo që e ka kryer krimin: qoftë  serb, shqiptar,apo  i huaj,ka sulmuar familjen e Ivanoviç, por edhe serbët në Kosovë dhe Metohisë.”

 

Presidenti Vucic u shpreh gjithashtu se delegacioni serb në Bruksel ndërpreu bisedimet në kuadër të dialogut, për shkak se është e kotë për të folur, pasi Kadri Veseli, sipas tij, thotë se do të pushtojë Nishin.

 

Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër vrasjen e  liderit të nismës qytetare “Drejtësi, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

 

Në një deklaratë për media të zyrës së kryeministrisë, thuhet se, “Qeveria e Republikës së Kosovës  vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës”.

 

Edhe presidenti Hashim Thaçi, e dënon vrasjen e Ivanoviç, si dhe u bën thirrje organeve kompetente për zbardhjen sa më parë të ngjarjes.

 

Ndërkombëtarët kanë reaguar ashpër vrasjen në veri. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kocijançiç, u bëjnë thirrje palëve në Kosovë të përmbahen dhe që autoritetet për sundimin e ligjit të kryejnë punën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *