Një aksion i policisë së Shkodrës për kapjen e një personi të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, për pak sa nuk përfundoi në një tragjedi.

 

49-vjeçari Agim Gjata, i dënuar më parë për vrasje, iu përgjigj thirrjes për t’u dorëzuar, duke qëlluar me armë zjarri ndaj forcave “renea”.

 

Nga sulmi me arme nuk pati të lënduar, ndërsa forcat speciale arritën të ndërhyjnë duke e vënë në pranga pak minuta më vonë.

 

Ndërkohë policia sekuestroi një automatik “kallashnikov”, një pistoletë si dhe një palë dylbi.

 

Vau i Dejës, Shkodër

 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Neutralizimi”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me rekorde të theksuara kriminale, në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje.

 

Qëlloi me armë zjarri ndaj shërbimeve të Policisë në momentin e ndërhyrjes për kapjen e tij, falë profesionalizmit të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, neutralizohet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.

 

49-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe ishte i dënuar më parë për vrasje.

 

Sekuestrohen 2 armë zjarri, kallashnikov dhe pistoletë, municion luftarak dhe dylbi.

 

Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.

 

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.

 

Me ndërhyrjen profesionale dhe në zbatim të ligjit, të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Si rezultat i operacionit “Neutralizimi” u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje.

 

Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *