Një gjykatë në Itali ka dënuar me burgim të përjetshëm një çift pakistanez për vrasjen e vajzës së tyre 18-vjeçare, e cila refuzoi martesën me kushëririn e saj.

Gjithashtu, xhaxhai i vajzës është dënuar me 14 vite burg, ndërsa dy kushërinjtë janë shpallur të pafajshëm.

Sipas agjencisë Reuters, i ashtuquajturi “krim nderi” me viktimë e 18-vjeçaren Shaman Abbas, ka tronditur opinionin publik italian.

E reja jetonte në qytetin Novelara, afër Bolonjës, nga ku u zhduk në maj të vitit 2021. Ajo kishte pasur një grindje me prindërit e saj sepse nuk pranoi për muaj të tërë t’i dorëzohej presionit të tyre për t’u martuar me një kushëri në Pakistan. Pa u rritur, ajo i ishte drejtuar shërbimeve sociale dhe ishte akomoduar për disa kohë në një strukturë.

Ajo u kthye në shtëpinë e prindërve të saj për të marrë disa dokumente që i duheshin. Familja e saj u zemërua kur mësuan se 18-vjeçarja kishte pasur një lidhje, tha prokurori.

Në fillim të majit, policia gjeti shtëpinë e familjes bosh. 18-vjeçari ka të ngjarë të jetë vrarë diku midis 30 prillit dhe 1 majit, sugjerojnë pamjet e kamerave të sigurisë, duke treguar pesë persona duke u larguar nga shtëpia me lopata, leva dhe një kovë, për t’u kthyer vetëm dy orë e gjysmë më vonë.

Trupi i Shaman Abbas u gjet i dekompozuar jo shumë larg shtëpisë së familjes në nëntor 2022, rreth 18 muaj pas vrasjes. Identifikimi është bërë përmes analizës së materialit gjenetik.

Babai Shabar Abbas u arrestua në fshatin e tij në Pakistanin lindor me dyshimin për vrasjen e vajzës së tij dhe u ekstradua në Itali për t’u gjykuar. Nëna është zhdukur dhe po kërkohet nga policia pakistaneze.

Me lot në sy, Shabar Abbas këmbënguli se është i pafajshëm. “Edhe unë dua të di se kush e vrau vajzën time”,  thuhet se u tha ai gjyqtarëve, sipas raporteve italiane. Ai pritet të apelojë vendimin e shkallës së parë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *