Subscribe

Pas një séance plenare e cila zgjati gjithë natën , Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi Qeverinë e re. Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiçit, Lëvizja Evropa Tani, nga partia pro-ruse Fronti Demokratik që është shpërbërë së fundi, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe partitë shqiptare.

 

Kabineti i udhëhequr nga ekonomisti Milojko Spajiç, do të ketë 18 ministri dhe pesë zëvendëskryeministra. Ajo  do të përfshijë demokratët pro-evropianë të qendrës së djathtë, Partinë Popullore Socialiste pro-Serbe dhe pesë parti të pakicës shqiptare. Drejtimi i tri ministrive Ekonomisë, Të Drejtave të Njeriut dhe Administratës Publike i është besuar shqiptarëve. Nik Gjeloshaj do të jetë po ashtu  zëvendëskryeministër, njëherazi edhe ministër i Ekonomisë. Për zgjedhjen e Qeverisë, 19 deputetë opozitarë votuan kundër, një abstenoi dhe pesë të tjerë munguan në seancë gjatë votimit.

 

Gjatë adresimit para deputetëve, Spajiç prezantoi pikat kryesore në të cilat do të fokusohet gjatë qeverisjes së tij.

 

“Katër përparësitë tona kryesore të politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në BE, përmirësimi i marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe forcimi i rolit të vendit në organizatat shumëpalëshe.”

 

Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund udhëheqjes së ekzekutivit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, qeveria e të cilit u rrëzua përmes një mocioni mosbesimi në gusht të vitit të kaluar.

 

Koalicioni i qendrës Evropa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të fitonte mjaftueshëm sa të krijonte vetë Qeverinë.

 

Votimi i Qeverisë së Malit të Zi vjen pasi aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të mirë, që udhëhiqet nga Andrija Mandiq, u pajtua të mbështeste zgjedhjen e Spajiçit, në këmbim që Mandiç të zgjidhej kryetar i Parlamentit. Po zgjedhja e tij  ka bërë që qytetarët të ngrihen në protesta mbrëmjen e së hënës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *