Votohet për shkarkimin e Bashës/ Berisha: Referendumi, ditë historike për demokracinë
Në mbi 70 degë të Partisë Demokratike po votohet nga anëtarësia për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha.Të 106 qendrat e votimit janë vendosur në mjedise private ose jashtë atyre të degëve. Partia Demokratike vendosi t’i kyç zyrat e saj në rrethe, pasi sot zhvillon Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha në Pallatin e Kongreseve.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili në 11 dhjetor në stadiumin “Air Albania” mbajti kuvendin e tij, ku mbi 4 mijë delegatët i thanë po shkarkimit të Lulzim Bashës, votoi në një lokal të quajtur “Bar Amerika”, i ndodhur pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
Pasi votimit, ish-kryeministri e cilësoi 18 dhjetorin si ditë historike dhe aspak provokim për zgjedhjen e lokalit, që mban emrin e vendit që në maj e shpalli “non grata”.
SALI BERISHA
ISH KRYEMINISTER I SHQIPERISE
“Ditë historike për lirinë, shpresën e PD, shoqërisë shqiptare në tërësi. Ky është referendumi i parë në 30 vite i thirrur nga anëtarësia e një partie politike për të shkarkuar peng kryetarin me fjalë të tjera atë që do hyjë në analet politike të Shqipërisë, si Lulzim Brava. Pra, nëse ky është referendumi i parë që demokratët thërrasin vetë për një vendim historik ju rikujtoj këtu se në 2009 është mbajtur një referendum tjetër ku anëtarësia është ftuar nga kryetari për të mos votuar për kryetarin. Tani cdo shqiptar të krahasojë dy botë, të lirisë dhe autokracisë. Duke rikujtuar këtë kontrast të madh, rikujtojmë se ky është referundimi i shpresës për cdo shqiptar.”
Demokratët i ftoi të hënën e 20 dhjetorit të protestojnë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë, për të marrë pjesë në nismën “Ballkani i Hapur”. Sali Berisha tha se protesta do të nisë në orën 4 të pasdites selia e Partisë Demokratike, pasi ajo nuk është pronë e Lulzim Bashës, por e të gjithë demokratëve.
SALI BERISHA
ISH KRYEMINISTER I SHQIPERISE
“Ditën e hënë, në orën 16:00 të gjithë demokratët në protestën e madhe në mbrojtje të interesit kombëtar dhe kundër vjedhjes së tmerrshme të 430 milionë eurove që kreu i Meduzës kërkon që ti fsheh. Po i mbledh në cilësinë e sovranit, kuvendi është autoriteti më i lartë i PD-së që urdhëroi dhe thirrjen e referendumit. Sot keni një anti-Kuvend ose një takim të shoqatës Brava-Bardhi. Shqiptarët e dinë vetë rolin e tyre unë kisha paralajmëruar se Ballkani i Hapur nuk mund të kalojë kundër interesave jetike të shqiptarëve si aleancë anti shqiptare.”
E gjithë anëtarësia e Partisë Demokratike u thirrën në një referendum për të njehsuar vendimin e kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha.
Me logo dhe vulë të re fleta e votimit i jep dy mundësi demokratëve, nëse janë dakord ose kundër shkarkimit. Mënyra e identifikimit është përmes kartës së anëtarësisë. Atyre që nuk e zotërojnë atë apo nuk u gjendet emri në listë, votojnë me kartë identiteti. Pasi shprehin vullnetin e tyre, të dhënat personale të tyre futen në kutinë e votimit nga komisionet përkatëse.
Votimi i nisur në tetë do të mbyllet në orën pesë të pasdites. Deri në mbrëmje, mbështetësit e Sali Berishës, parashikojnë të nxjerrin rezultatin. Kryetari në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi foli për një votë pro shkarkimit të Lulzim Bashës.
BELIND KELLIÇI
KRYETAR NE DETYRE I FRPD
“Është e vërtetë që ka një debat shumë të fortë në PD. Sigurisht që peshorja anon dukshëm nga njëra anë, nga ajo anë që kërkon hapjen e PD, kërkon një PD më të bashkuar. Unë në këto 12 vite të jetës sime aktive në PD, nuk kam parë kurrë radhë të tilla si sot në një proces të brendshëm të PD, dhe kurrë që qytetarët të qëndrojnë në radhë për të votuar. Keni parë demokratë që kanë ardhur me tesera të viteve 1990. Risia e këtij procesi votimi është që po rikthehen në PD dhe po marrin pjesë qëndrestarë, themelues, që kishin shumë vite pa qenë pjesë e PD.”
Votohet për shkarkimin e Bashës/ Berisha: Referendumi, ditë historike për demokracinë




