Votim i dyfishtë në Gjirokastër? Nënkomisionerja tregon çfarë ka ndodhur

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u mblodh sërish këtë të mërkurë për të vijuar me shqyrtimin e ankesave për zgjedhjet e 25 prillit në Berat e Gjirokastër.
Në Qarkun e Gjirokastrës janë hedhur dyshime për votim të dyfishtë, por Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku tha se kjo mund të ketë ardhur për shkak të problemeve teknike.
“Për nënshkrim është përdorur shenja e gishtit. Nuk e përcaktojmë dot se e cilit individ është. Nga të dhënat e kryqëzimit një nga numrat e identifikimit është i operatorit. E kemi këtë të dhënë. Në këto kushte na lind e drejta të dyshojmë. KQZ nuk e verifikon dot se kujt i takon ajo shenjë gishti. Kjo do të jetë objekt i një hetimi në vazhdim për t’u verifikuar. Tentohet 7 herë me secilin gisht. Nga informacionet paraprake nga vetë operatorët na është bërë me dije se kanë pasur vështirësi, ata vetë me justifikimin për të përshpejtuar procesin kanë vijuar ata vetë me vendosjen e shenjës së gishtit. Ky informacion na ka ardhur në rrugë telefonike gjatë ditës së zgjedhjeve”, u shpreh ajo gjatë mbledhjes.




