Kanë kaluar vetëm gjashtë ditë nga hapja zyrtare e procesit të regjistrimit të diasporës për zgjedhjet e 11 majit dhe numërohet një numër i lartë aplikimesh nga 76 shtete të botës.
KQZ-ja ka kërkuar që qeveria të shtyjë afatin e vlefshmërisë së kartave të identitetit për të garantuar një pjesëmarrje sa më të gjerë në votimet e 11 majit.
Për të diskutuar më shumë mbi regjistrimin e diasporës, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus, me moderimin e Roland Zilit, ishte përfaqësuesja ligjore e PS-së në KQZ, Elena Xhina.
Znj.Xhina renditi arsyet pse janë refuzuar aplikimet e mbi 2100 emigrantëve, teksa shtoi se në platformë mund të aplikosh disa herë.
Përfaqësuesja ligjore e PS-së në KQZ, theksoi se deri më tani janë gati 21 mijë e 300 kërkesa për t’u regjistruar.
Intervista e plotë:
Në vetëm 6 ditë, janë refuzuar aplikimet e mbi 2100 emigrantëve që kanë kërkuar të votojnë më 11 maj. Përse ka ndodhur kjo?
Xhina: Rastet e refuzimit lidhen kryesisht me disa parregullsi që janë, në fakt të papranueshme nga sistemi. Shumë aplikues kanë aplikuar me dokumentet shqiptare. Në momentin që kanë hyrë në platformë, kanë tentuar të regjistrohen me dokumentet, si pasaportën shqiptare, duke menduar se duhet të votojnë brenda vendit. Pra, ka qenë një keqkuptim i qytetarëve lidhur me platformën. Në përgjigjet që iu janë kthyer pas, janë shënuar qartë arsyet përse iu është refuzuar kërkesa. Kur ata japin adresën, japin adresën shqiptare dhe jo adresën e vendit ku jetojnë.
Pra, nëse ata riaplikojnë duke rregulluar adresën, pranohen?
Xhina: Po, sigurisht. Platforma ofron këtë mundësi, që mund të aplikosh disa herë. Numri i herëve që mund të aplikosh është i pakufizuar; thjesht afati maksimal është deri më 4 mars. Çdo qytetar që bën gabim, mund të aplikojë sërish.
Si e konsideroni trendin e regjistrimeve, fluksin deri më sot?
Xhina: Sapo e pashë, ishin gati 21 mijë e 300 kërkesa. Është mjaft i kënaqshëm trendi. Nëse vazhdon kështu, do të kemi një numër të lartë pjesëmarrësish.
Nëse ruajmë këtë trend, i bie që deri më 4 mars do të kemi edhe 200-300 mijë të regjistruar?
Xhina: Po, mendoj që do të jemi te ky numër. Njerëzit do të familjarizohen akoma më tepër me platformën dhe ata që kanë aplikuar gabim do të riaplikojnë. /vizionplus.tv