Pavarësisht se ishte parashikuar që armëpushimi në Gaza të fillonte në orët e para të mëngjesit, ai u vonua. Izraeli e akuzoi Hamasin për këtë vonesë, duke thënë se militantët nuk dorëzuan emrat e pengjeve që do të liroheshin gjatë ditës. Si pasojë, ushtria izraelite vazhdoi sulmet në Rripin e Gazës, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave.
Zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari, theksoi se armëpushimi nuk do të nisë deri sa Hamas të dorëzojë emrat e tre pengjeve që do të lirohen, duke përsëritur një deklaratë të mëparshme të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Lexo edhe :
Related Posts
Kryeministri Netanyahu e autorizoi ushtrinë izraelite të vazhdojë sulmet deri në momentin që të merren emrat e të rrëmbyerve të liruar nga Hamasi. Ai theksoi se armëpushimi, i cili duhej të hynte në fuqi në orën 08:30 (me orën e Mbretërisë së Bashkuar), do të vonohej deri sa Izraeli të merrte listën e pengjeve të liruar që Hamasi ishte angazhuar t’i sigurojë. Netanyahu shtoi se Izraeli ruan të drejtën për të rinisur luftimet nëse negociatat me Hamasin për armëpushimin dështon, duke paralajmëruar se nëse rikthehen luftime, ato do të jenë më të fuqishme.
Armëpushimi ishte planifikuar për të ndalur luftimet pas 15 muajsh dhe për të mundësuar lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës dhe qindra të burgosurve palestinezë në Izrael.






