Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi u takua këtë të mërkurë me anëtarë të komunitetit rom në Durrës.
Ata pretendojnë se janë braktisur nga qeveria dhe bashkia, ndërsa shtojnë se pandemia dhe tërmeti ua kanë vështirësuar edhe më shumë jetën.
Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre, Vokshi premtoi se PD do t’i ketë në vëmendje ata. Ajo deklaroi se fondet e dedikuara për ta nuk do të vidhen më.
“Asgjë të jashtëzakonshme nuk do të bëjmë, vetëm do të zbatojmë ligjet, do të zbatojmë programet. Janë fondet që janë të dedikuara për komunitetin rom që vidhen dhe shkojnë në xhepat e tjetër kujt dhe nuk vijnë për mbështetjen tuaj. Nesër, kur të jemi në qeverisje t’ju japim atë që ju takon, që të mos dridheni që po vjen një oligark që t’ju rrëmbejë tokën apo pronën, që t’ju nxjerrë në rrugë dhe mos keni ku të strehoni fëmijët. Ajo çka ne premtojmë sot është rikthimi i vëmendjes, është punësimi. Mos kërkoni lëmoshë, kërkoni të punoni që të paguani faturat e dritave, që të ushqeni fëmijët dhe të bëni një jetë të denjë, është e drejtë kushtetuese, është e drejtë ligjore. Nuk do t’ju japim lëmoshë. Do të rikthejmë vëmendjen, do t’ju riintegrojmë në shoqëri. Kjo qeveri nuk jua siguron dot. Ajo vjedh paratë me tenderat sekretë, paratë që duhej të vinin për ushqimin, për shërbimin shëndetësor dhe të vinin për arsimimin e fëmijëve. Do të vazhdojmë të jemi këtu me ju.”





