Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi reagoi këtë të shtunë për videon që nxori drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Duke përsëritur kërkesën për shkarkimin e tij, Vokshi tha për mediat se ai ka vepruar ashtu me urdhër të kryeministrit Edi Rama.  

“Pavarësisht kërkesës unanime për të larguar Ardi Veliun, njerëzit që kanë në dorë shkarkimin e tij, po heshtin. Edi Rama bën sikur nuk ka parë gjë, Sandër Llëshaj bën sikur nuk ka kuptuar gjë, duke shpresuar se me kalimin e kohës do ta shpëtojnë mercenarin e tyre dhe të bandave kriminale. Heshtja mafioze e kryeministrit dhe e Ministrit të Brendshëm për qendrimin skandaloz të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është prova më domethënëse se veprimi i Ardi Veliut është linjë partiake dhe qeveritare.  Duke mos e shkarkuar atë, Edi Rama provon se do të bënte të njëjtën gjë si Ardi Veliu, do të sulmonte si mafioz një grua për të justifikuar dhunën policore ndaj djalit të saj të mitur.”

Për Vokshin, Rama po tregon se po të ishte në vend të Ardi Veliut do të kishte vepruar po njësoj.  

“Një kryeministër normal, i papërzierë në punë të pista, do ta kishte shkarkuar menjëherë një drejtor policie që justifikon me prova të sajuara rrahjen e një të mituri për shkak të prejardhjes familjare, sulmon si kriminel gjakftohtë një nënë kryefamiljare dhe që shkel të drejtat e njeriut.”

Ardi Veliu publikoi të premten një video të nënës së 15-vjeçarit që u dhunua nga efektivët e policisë pse kishte thyer karantinën. Në video, nëna e të miturit shfaqej me pistoletë dhe Veliu tha se kjo tregon se djali ishte edukuar keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *