Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, tha se këtë vit pritet një fluks më i lartë se viti që lamë pas.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizon Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Dredha deklaroi se shumë shpejt do të realizohen disa projekte, që janë hotele me përmasa shumë të mëdha.
Sipas kryebashkiakut të Vlorës, sfida kryesore mbetet menaxhimi i qytetit sa i përket trafikut.
Ermal Dredha shtoi se këtë vit do të ketë shumë hapësira të mjaftueshme për plazhe publike, teksa nënvizoi se Vlora do të jetë “e ndezur” me evente gjatë gjithë sezonit.
Intervista e plotë:
Si jeni përgatitur të përballeni këtë vit me fluksin turistik?
Dredha: Është një vit që pret fluks më të rritur se viti që lamë pas. Kjo edhe për shkak të promovimit që i është bërë jo vetëm Vlorës, por gjithë Shqipërisë. Edhe kushtet që po krijojmë ecin me atë që ne jemi duke promovuar, megjithatë masa janë marrë shumë. Sfida më e madhe mbetet menaxhimi i qytetit sa i përket trafikut, menaxhimi i plazheve, sidomos hapësirave publike dhe patjetër që pesha që kemi ne për menaxhimin e pastrimit të qytetit.
Zyrtarisht, sa hotele ka të regjistruara Vlora dhe sa numër shtretërish?
Dredha: 7 mijë shtretër. Është në rritje. Gjithë apartamentet që janë edhe në zona më në periferi kanë filluar ta shohin këtë lloj aktiviteti si një biznes që sjell përfitim. Më shumë nga gjithë këta janë ata që kanë akses edhe në rrugë më të mira. Atëherë menjëherë e kthejnë në një biznes. Ne kemi disa projekte që fillojnë shumë shpejt. Janë hotele me përmasa shumë të mëdha, flas në pjesën e akomodimit.
Çfarë i ofron Vlora publikut, atij që nuk do shkojë të paguajë domosdo një çadër te një strukturë e caktuar private?
Dredha: Është shumë e qartë. Vetëm strukturat hoteliere kanë të drejtë të aplikojnë për të marrë hapësira plazhi. Një pjesë në Zvërnec dhe një pjesë në Orikum, më parë shfrytëzohej nga bizneset private, sot janë në dispozicion të bashkisë për të ofruar hapësira falas. Ashtu siç ne kemi plazhet publike, do të kemi edhe çadrat në dispozicion nga bashkia. Hapësirat janë mjaftueshëm. Duhet pak edhe ndërgjegjësim nga ata që janë mësuar të operojnë privatisht në disa hapësira publike. Duhet t’i përshtatemi këtyre rregullave, sepse është një mënyrë shumë e mirë që e ka gjithë bota.
Ju po më thoni se Vlora këtë vit do të jetë edhe më e pastër. Çfarë masash keni marrë dhe pse Vlora do të jetë më e pastër?
Dredha: Kjo është sfida që ne kemi në përditshmërinë tonë. Sidomos që do kemi fluks. Na bën dhe ne ta kemi më prioritet pastrimin e qytetit. Do ketë disa problematika brenda lagjeve, sepse po punohet, por duhet të durojmë, se është një projekt që ia vlen. Është sfidë e madhe, por do e realizojmë me sukses. Do kemi evente pafund përgjatë këtyre muajve, do e mbajmë Vlorën të ndezur dhe do i ofrojmë të gjitha.
/vizionplus.tv