Juventus nuk ka ndërmend t’i ndahet Interit. Gara për titullin kampion në Itali më së shumti vazhdon të jetë një çështje mes këtyre dy skuadrave.  Për meritë të bardhezinjve më së shumti të cilët po i bëjnë ballë forcës së zikaltërve duke ruajtur pas javës së 20 një distancë minimaliste, vetëm 2 pikë.

Në ndeshjen përmbyllëse të kësaj jave skuadra e Alegrit mundi pa shumë problem Sassuolon 3 me 0 në Torino. Ai që bëri diferencën në këtë ndeshje ishte Duashan Vlahoviç.

Serbi zhbllokoi rezultatin në minutën 15 përmes një gjuajtje të bukur me të majtën nga distanca duke befasuar portierin Konsili. Pas avantazhit Juventusi rriti agresivitetin dhe i lejoi miqve vetëm dy zbritje me protagonist Loriente, i ndalur nga Shcezni. Për të vendosur në siguri suksesin në këtë sfide mendoi sërish bomberi Vlahoviç. Këtë herë ai ekzekutoi bukur një goditje dënimi me të majtën në minutën e 37 ndihmuar edhe nga traversa. Në fund të pjesës së parë sërish serbi dhe Rabio kërkuan golin e tretë, por nuk ia dolën dot mbanë.

N ë pjesën e dytë ndeshja ndryshoi disi, me Juventus që i la më shumë hapësira miqve dhe u tregua më i kujdesshëm. Sassuolo mori guxim por edhe në ndonjë rast sikurse ai i Berardit, ishte Shcezni me reflekset e tij që i tha jo golit. Në fund ishte Kieza i aktivizuar në pjesën e dytë që mbylli ndeshjen me golin e tretë. Tek miqtë nuk luajti as titullar dhe as si zëvendësues fantazisti i kombëtares Nedim Bajrami.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *