Pas lirimit nga akuza e vënies së tritolit ndaj farmacisë së babait të ministrit Saimir Tahiri, Vladimir Gjuta mbetet sërish në burg. Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të “arrestit me burg” për 36-vjeçarin, i cili akuzohet për dhunë në familje dhe thyerje të masës së sigurisë. Mbrojta e Vladimir Gjutes thekson se ai vuan nga probleme mendore dhe prej kohësh merrte ilaçe kundër depresionit. Sipas Prokurorisë, 36-vjeçari kishte shkuar në banesën e të atit, Ferit Gjuta, duke shkelur edhe vendimin e datës 22 prill 2016 të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së parë e Kukësit, e cila kishte marrë masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ishte babai i tij që bëri kallëzim penal në komisariatin nr.5 në Kamëz për të birin, me pretendimin se ai ushtronte dhunë sistematike.