Deputetja demokratike, Ina Zhupa ka thirrur këtë të enjte në interepelancë ministren e Arsimit, Evi Kushi lidhur me vendimin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

 

Zhupa ka akuzuar qeverinë se përmes këtij vendimi ka plotësuar dëshirën e Skënder Gjinushit, duke shkelur hapur ligjin.

 

“Gjinushi nuk e fshehu kurrë që donte ta mbyllte Akademinë e Studimeve Albanologjike. Reformat në këtë vend na i bëka Gjinushi, paskemi atë akoma ministër arsimi. Ndryshe nga sa është shprehur Kushi, kur vlerësonte Albanologjinë. Bëtë një VKM për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike. Po shkelni Kushtetutën, shkelni ligjet, shkelni Akademinë e Studimeve Albanologjike. Ju po i bëni vasal të Skënder Gjinushit”, tha ajo.

 

Ministrja Kushi nga ana tjetër argumentoi se në fakt është vepruar konfrom ligjit.

 

Ajo shpjegon se nuk bëhet fjalë për mbyllje përfundimtare apo shkrirje, por për një ristrukturim.

 

“Vendimi parashikon riorganizim të Albanologjisë, nuk është shkrirje.

 

Prej tetë vitesh, nuk ka asnjë student. Ligji e parashikon qartë se nëse për dy vite nuk ka asnjë student, mbyllet. Ne nuk po i hedhim në rrugë, por po garantojmë përfshirjen e tyre në institucione të tjera. Ju thoni që po zhduknim 100 studiues. Përkundrazi! Ne duam ta ngremë Akademinë e Shkencave në një nivel të ri. Po bëhet projekti më i madh i Albanologjisë ndonjëherë.

 

Deklaratat tuaja janë vetëm politike, por nuk bazohen në shkresa. Si e interpretoni ju që ata nuk kanë asnjë akademi. Thoni që ata kanë kërkuar të hapin programe, por i ka penguar Ministria. Programin e hap vetë departamenti”, tha Kushi.

 

Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave u caktua mbyllja e Akamdemisë së Studimeve Albanologjike, gjë e cila krijoi mjaft polemika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *