Vizita e Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry në Tirane dhe qëllimi i saj, kapërcen çdo event protokollar. Për Ditmir Bushatin, Ministër i Jashtëm, Shtetet e Bashkuara janë partneri kryesor strategjik i Shqipërisë. Pa dhënë shumë detaje, ai tha për mediat se stabiliteti në rajon dhe proceset integruese do të jenë ne fokus të diskutimeve.

Ditmir Bushati: Vlerësoj interesin e medias për këtë vizitë shumë të rëndësishme, bëhet fjalë për partnerin kryesor strategjik të Shqipërisë dhe natyrisht dhe interesi mediatik është legjitim. Janë kontributor i pazëvendësueshëm sa i takon axhendës së shtetndërtimit dhe shtetkonsolidimit këtu dhe besoj se edhe vizita e sekretarit të shtetit Kerry këtë javë do jetë e fokusuar kryesisht tek tematikat që kanë të bëjnë me ecurinë e vendit drejt proçesit të integrimit në BE, sepse është një projekt shumë i rëndësishëm për stabilitetin demokratik të gjithë rajonit.

Këtë deklaratë ministri Bushati e bëri pas takimit me homologun austriak Sebastian Kruz, me te cilin diskutoi mbi bashkëpunimin dypalësh. por temë kryesore ishte procesi i integrimit europian i Shqipërisë, i cili kalon përmes reformës në drejtësi.

Sebastian Kurtz: Reformën në drejtësi ne e shikojmë si një projekt shumë të rëndësishëm në procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë jam shumë i sigurt se zbatimi i kësaj reforme do të ketë ndikime pozitive, do të jetë një pikë kyçe shumë e rëndësishme për të filluar bisedimet në Bruksel, por nga ana tjetër reforma në drejtësi do të ketë një ndikim pozitiv edhe te klima e investimeve për investitorët e huaj në Shqipëri. Shqipëria nëse do të hedhë një hap në këtë fushë, do të hedhë një hap edhe në shtetin e së drejtës. Do të jetë edhe më atraktive sigurisht për investitorët e huaj dhe ndërmarrjet e huaja që do të vijnë.

Ditmir Bushati: Ekzistojnë të gjitha mundësitë, afatet janë të kapshme në rast se ne ecim me axhendën e reformave që kemi dakordësuar bashkërisht me shërbimet e KE dhe në bashkëveprim me institucione të rëndësishme si Komisioni i Venecias ku gjithë aktorët janë përfshirë në reformën në drejtësi dhe ne do kemi mundësi të bëjmë në pranverë një rishikim apo një rivlerësim jo vetëm të ecurisë së zbatimit të reformave sëbashku me KE dhe praninë e komisionerit Han, kemi gjithë mundësinë edhe me mbështetjen e vendeve anëtare për të siguruar si hapin e parë në këtë proçes një rekomandim të qartë nga ana e KE këtë vit. E thënën troç, të gjitha mundësitë ekzistojnë, vullneti politik duhet të demostrohet nga të gjitha kampet në funksion të një proçesi që nuk ka të bëjë me partitë politike.

Gjatë takimit, u nënshkrua marrëveshja mes Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e turizmit, si dhe është rënë dakord për një plan veprimi mbi një bashkëpunim më të ngushtë midis dy vendeve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *