Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Të enjten sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të ketë vizitën e parë në Tiranë. Përgjatë qëndrimit tetë orësh në kryeqytetin shqiptar ai do të takohet zyrtarisht me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe një grup të rinjsh.

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” numri dy i qeverisë amerikane do të pritet nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani.

Në agjendë është parashikuar një takim i shkurtër i Antony Blinken me Bajram Begaj në presidencë.

Takimi më të rëndësishëm do ta ketë me kryeministrin Edi Rama pasditen e së enjtes. Përveç diskutimeve me dyer të mbyllura, Antony Blinken dhe Edi Rama do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp , ku me interes pritet mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë.

Po pjesë e agjendës zyrtare është një bashkëbisedim i sekretarit amerikan të shtetit me të rinj shqiptarë të studiuar në Shtetet e Bashkuara. Takimi do të mbahet te Piramida.

Shtatë vite nga vizita e fundit e një sekretari amerikan të shtetit, Antony Blinken vjen në një moment të rëndësishëm për vendin.

Përveç rolit të saj në politikën e jashtme, duke qëndruar në krah të aleatëve në luftën e paligjshme Ruse në Ukrainë, një partner kyç i Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Për këtë fundit tha ish ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, SHBA do të ritheksojë mbështetjen edhe nga Tirana zyrtare.

“Kjo është më të vërtetë një ndalesë që do të fokusohet te e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor në Evropë”,  tha Kim.

Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve, falënderimet e rastit për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe strehimit të afganëve janë arsyet e vizitës së Antony Blinken thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përveç tyre, mbetet për tu parë nëse numri dy i qeverisë amerikane, njeriu që firmosi “non grat-ën” e Sali Berishës do të ketë një mesazh edhe për politikën.

24 orë nga ardhja e Antony Blinken, i gjashti në radhë nga sekretarët amerikanë të shtetit që vijnë në Shqipëri, rrugët kryesore të Tiranës janë veshur me flamujt amerikanë dhe shqiptarë. Një portret i shpalosur në ballinën e universitetit politeknik është mirëseardhja e Edi Ramës për Antony Blinken. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *