Subscribe

Votimi në Kuvendin e Kosovës i demarkacionit me Malin e Zi ishte kushti që Bashkimi Europian i kishte vendosur Kosovës, për të përfituar më pas vendimmarrjen për liberalizimin e vizave.

 

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, në një intervistë për Vizion PLUS, shprehet optimist se në fund të këtij viti, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm. Ai thotë se Kosova ka arritur një progres të dukshëm.

 

 “Presim që të ketë një mirëkuptim dhe në të njëjtën kohë një gatishmëri të Bashkimit Europian që të lejojë qytetarët tanë që të lëvizin lirshëm. Nuk do të jetë në të mirën e Bashkimit Europian euroskepticizmi, Bashkimi Europian duhet të fuqizohet edhe më tutje. Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, do të kemi liberalizim të vizave në fund të këtij viti dhe në të njëjtën kohë do të ecim edhe në procesin e konsolidimit të shtetësisë sonë si shtet i pavarur.”

 

I pyetur mbi respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë, Veseli thotë se të gjitha komuniteteve u janë garantuar të drejtat e tyre , jo vetëm të shkruara në Kushtetutë e ligje.

 

“Ne kemi standardin më të lartë të respektimit të komuniteteve në Republikën e Kosovës ne rajon dhe Europë. Do të lëvizë në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, do të respektohet Kushtetuta e në të njëjtën kohë do të kemi të drejta të plota për të gjitha komunitetet, të cilat janë në shtetin tonë të pavarur dhe sovran”

 

Kryesfida mbetet dialogu me Beogradin. Për kryeparlamentarin Veseli, fund të këtij procesi, Serbia do e njohë pavarësinë e Kosovës.

 

“Shteti i Serbisë është shtet fqinj. Ne do ta respektojmë sovranitetin e shtetit të Serbisë dhe presim që ata të bëjnë njohjen përfundimtare të shtetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë Serbia si shtet i pavarur dhe sovran të mos jetë pengesë për shtetin tonë, Republikën e Kosovës”

 

Prej disa vitesh zyrtarët më të larë të Prishtinës dhe Beogradit kanë nisur dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europain, me qëllim afrimin e dy vendeve si në aspektin politik, ashtu edhe social dhe ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *