Si në të gjithë vendin, kjo e hënë ka shënuar fillimin e vitit të ri shkollor edhe në Bashkinë e Shkodrës. 120 fëmijë të lagjes numër 1 të qytetit, e nisin këtë vit në mjediset e reja të kopshtit “Ngjyrat”, në përbërje të Qendrës së re Multifunksionale.

 

Godina iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë, falë një projekti të Bashkisë së Shkodrës, i financuar nga Bashkimi Europian, i mbështetur edhe nga programet e UNDP Albania.

 

Mjediset ofrojnë kushte optimale për fëmijët e moshave parashkollore, të ndarë në 4 grupe. Pas rikonstruksionit, është bërë mobilimi i mjediseve të brendshme, ndërsa për stinën më të ftohtë, në funksion do të jetë edhe ngrohja qendrore përmes kaldajës së instaluar. Stafi i kualifikuar e profesional, është një tjetër garanci e suksesit të kopshtit “Ngjyrat” si një shërbim që Bashkia Shkodër ofron për fëmijët dhe familjet e lagjes numër 1 të qytetit.

 

Me një fond 13 milion lekë, përveç kopshtit, është thuajse gati edhe çerdhja e re, qendra shëndetësore dhe zyrat administrative të kësaj lagjeje të qytetit. Rikthimi në funksionim i aseteve të Bashkisë Shkodër, ka qenë një prioritet me synimin e ofrimit të hapësirave të reja publike në shërbim të qytetarëve.

 

Deri tani, janë rreth 20 asete të cilat Bashkia Shkodër i ka vënë në funksion me investimet e veta apo me mbështetjen e donatorëve, të cilët meritojnë falënderimet më të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *