Viktor Orban, kryeministri euroskeptik i Hungarisë ka fituar bindshëm mandatin e trete radhazi duke u bërë kështu udhëheqësi më jetëgjatë i ekzekutivit hungarez.

 

54-vjeçari shpalli fitoren “historike” të partisë së tij Fidesz me 48.8 % të votave. Sipas sistemit elektoral të Hungarisë, i cili favorizon partitë më të mëdha, Fidesz duket se do të ketë dy të tretat e vendeve në Parlament.

 

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 70 për qind, duke tejkaluar pritshmëritë bazuar në procesin zgjedhor paraardhës. Orban, i cili ka shërbyer si kryetar i qeverisë edhe në vitet 1998-2002, ka bërë fushatë mbi një platformë të fuqishme kundër emigrantëve dhe votimet e së dielës i ka cilësuar si “shans për hungarezët për të rikthyer vendin e tyre”.

 

Nën udhëheqjen e tij, Hungaria ka ndërtuar gardhe përgjatë kufijve të saj me Serbinë dhe Kroacinë në vitin 2015, për të ndaluar hyrjen e refugjateve.

 

Me parimin “Hungaria e para”, Orban ka ndikuar më shumë se çdo politikan tjetër në vendin e vet që nga rënia e Perdes së Hekurt.

 

Triumfi i së dielës e forcon legjitimitetin e tij edhe në nivel europian, pasi nga kjo fitore marrin krahë partitë nacionaliste në mbarë kontinentin.

 

Euroskeptiku që i kundërvihet integrimit të mëtejshëm europian e lavdëron hapur liderin rus Vladimir Putin, premton ulje të tatimit mbi fitimin dhe miratim politikash të rritjes ekonomike.

 

Por për median kritike ndaj tij dhe grupet e shoqërisë civile që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe kundër korrupsionit, rezultati i votimeve të së dielës paralajmëron probleme të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *