Acari siberian që ka përfshirë Europën, shkaktoi viktimat e para. Në Itali një grua e moshuar ndërroi jetë në një ambulancë të bllokuar në dëborë në Sicili. Ajo nuk mundi t’i mbijetojë të ftohtit dhe pësoi një krizë kardiake.

 

Në disa rajone të Italisë transporti është i bllokuar, ndërsa në të tjera qarkullimi me zinxhirë është i detyrueshëm. Krahas rajoneve veriore të vendit fqinj, dëbora dhe ngricat kanë pushtuar edhe jugun.

 

Në Greqi gjithashtu numërohen viktima si pasojë e motit të keq. Një grua u gjet e pajetë brenda makinës së saj pranë Selanikut dhe 2 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur prej ditës së premte. Një valë e re e motit të keq do të do fillojë në Greqi fillimin e javës kryesisht në zonat e Thesalisë. Masa të ftohta ajrore do të sjellin  reshje në zonat me lartësi të ulëta si dhe temperatura ekstreme.

 

Moti i keq ka goditur thuajse të gjithë Europën Lindore. Në Poloni tre metereologë mbetën të bllokuar nga dëbora në një stacion në malet Tatra. Ata arritën të shpëtonin duke gërmuar me duar dhe duke zbritur në luginë.

 

Moti i keq po mbizotëron edhe në Gjermani. Të paktën 120 fluturime u anuluan dhe rreth 70 të tjera u vonuan për më shumë se një orë në aeroportin e Mynihut për shkak të dëborës së madhe që nga e premtja.

 

Kontrolli i trafikut ajror gjithashtu vendosi kufizime për shkak të dukshmërisë së kufizuar. Edhe trenat ndërprenë udhëtimet për shkak të motit të ashpër.

 

Acari ka përfshirë ndërkohë Francën, Britaninë e Madhe dhe gadishullin Iberik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *