Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu inspektuan sot hapjen e kantierit për ndërtimin e parkimit të madh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama tha se nëpërmjet parkimit pjesa publike jashtë godinave duhet të transformohet në një park.
“Këtu ishte një pazar i madh me rroba, fruta-perime, kinkaleri. Ishte që të arrinim pikërisht këtu dhe kjo faktikisht është një nyje që zgjidhet tani se duke u bërë parkimi i përbashkët në një godinë të përqendruar, duke u shpallur QSUT e gjitha këmbësore dhe asnjë makinë më s’lëviz asgjëkundi në QSUT përveç makinës së urgjencës, gjithë pjesa publike jashtë godinave duhet të transformohet në një park. Kjo është gjëja që duhet të bëjmë! Duhet bërë një investim fundor këtu tani”, tha Rama.
Gjithashtu Rama dhe Koçiu inspektuan punimet për rikonstruksionin e Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare, një tjetër investim për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
“Kati i parë ka të bëjë me shërbimet e Kirurgjisë vaskulare. Është e organizuar në 4 kate ku në katin e tretë kem bllokun operator me shtim sipërfaqeje nga 4 salle operatore janë 5 salla të cilat tashmë krijojnë kushte më optimale për stafin. Në katin e tretë kemi edhe shërbimin intensiv ose reanimacioni për të gjithë situata që kanë vështirësi në trajtim. Ka kapacitet prej 80 shtretërish”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu tha se janë duke u zhvilluar punimet edhe në spitalin psikiatrik dhe atë të djegie plastikës, ndërsa do të marrin shërbimin, jo vetëm pacientët nga Tirana por edhe ata që vijnë nga rrethet./vizionplus.tv