E premte, 25 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 06:55 Në vijim ora 06:55: 7 PA 5 Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Vijon gjykimi për dosjen “5 D”, dëshmojnë disa punonjës të Ujësjellësit

Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar seanca ndaj ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha. Në këtë proces u thirrën për të dëshmuar disa ish-punonjës të Ujësjellësit të Tiranës dhe të kompanisë 5D.

Me kërkesë të SPAK, para trupës gjykuese dëshmoi ish-financierja Jonida Hoxha. Ajo tregoi se ka punuar në UKT në vitet 2015–2016, ndërsa në vitin 2020 ka mbajtur detyrën e shefes së financës në kompaninë 5D. Hoxha tha se raportonte pasqyrat financiare te administratori i atëhershëm, Nestor Muhametllari. Ajo pranoi se kishte njohje me Mariglen Qaton, i cili, sipas saj, e kishte ndihmuar për t’u punësuar te 5D, ndërsa për Redi Mollen u shpreh se kishte marrëdhënie miqësore.

Në vijim të seancës dëshmoi edhe punonjësi i UKT-së, Oltjan Dhrami. Ai deklaroi se prej vitit 2016 ka qenë përgjegjës në Bovillë dhe më pas ka mbajtur detyrën e drejtorit inxhinierik. Dhrami konfirmoi kontaktet e tij të vazhdueshme me ish-drejtorin Mariglen Qato.

Një tjetër dëshmitar në proces ishte Elton Kacidhja, i cili në tetor 2020 ka punuar si drejtor i përgjithshëm i UKT-së. Ai sqaroi se më herët kishte qenë në krye të Ndërmarrjes nr. 2, ndërsa në UKT kishte përgjegjësi për ndjekjen e punimeve dhe kantierëve. Kacidhja pohoi se kompania 5D kishte fituar një tender gjatë kohës që ai drejtonte, ndërsa raportet me administratorin Nestor Muhametllari i përshkroi si “normale”.

Reklamë

Procesi ndaj ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë pritet të vijojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të thirrur nga SPAK.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë