Sektori i policisë së qarkullimit rrugor të qarkut të Korçës ka vendosur 2295 masa administrative për 23 ditët e muajti gusht.

 

Një gjë e tillë është bërë me dije nga zyra e shtypit pranë drejtorisë vendore të qarkut juglindor. Sipas kësaj zyre gjatë këtyre ditëve janë arrestuar 15 shtetas nga të cilët 9 për drejtim mjeti në gjendje të dehur ndërsa 6 të tjerë që nuk kishin leje drejtimi.

 

Policia gjithashtu bën me dije se gjatë këtyre ditëve të muajit gusht 530 drejtues mjetesh janë gjobitur për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit. 687 të tjerë për shkellje të ndryshme të qarkullimit, 277 për parakalime të gabuara si dhe 105 për mos përdorimin e ripit të sigurimit. Një numër i lartë drejtuesish automjetesh të gjobitur këto ditë janë edhe për ndalim në vend të gabuar pushimi.

 

Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti se vetëm pesë drejtues mjetesh kanë marrë masë administrative për shpejtësi tej normave të lejuara po aq sa edhe për mungesë dokumentacionesh.

 

Në të njëjtën periudhë të këtij muaji, gjithnjë sipas zyrës së shtypit të sektorit të policisë së qarkullimit rrugor bëhet me dije se janë tërhequr në total 53 leje drejtimi nga të cilat 18 kanë pasur si shkak përdorimin e alkoolit, 3 për shkak të shpejtësisë dhe 32 për shkelje të ndryshme të kodit rrugor.

 

Në këtë periudhë të sezonit turistik, sektori i qarkullimit rrugor ka shtuar numrin e patrullave të policisë në të gjithë qarkun përfshi këtu edhe rrugët rurale që të çojnë në zonat turistike të juglindjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *