Lëvizshmëria dhe trafiku në Tiranë ishte tema e radhës e trajtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj në rubrikën e përjavshme, ku ai sqaron me argumente çështje e problematika të qytetit.

 

 

Veliaj tha se Tirana rritet çdo vit me dhjetëra mijëra banorë të rinj, çka sjell edhe sfida si ajo e trafikut, për zgjidhjen e të cilit Bashkia e Tiranës ka sjellë konceptin e “demokracisë së rrugës”.

 

 

“Po e them troç që në fillim: 20-25 mijë qytetarëve, që na bashkohen çdo vit në Tiranë ne nuk do t’ua vëmë traun, siç kërkojnë të bëjnë disa që i ndajnë qytetarët në të ardhur dhe vendalinj, apo i përqeshin, i përbuzin dhe bullizojnë ata që vijnë. Ne nuk u themi dot qytetarëve as “mos blini makina”. Nuk ndalojmë dot mijëra qytetarë që vijnë çdo ditë edhe nga rrethet në Tiranë, për të dhënë dhe për të marrë shërbime. Në këto kushte, është e pamundur të pretendosh që infrastruktura urbane, pra rrugët dhe transporti publik, t’i përgjigjet me të njëjtin ritëm kësaj shpejtësie të jashtëzakonshme të zhvillimit”, tha Veliaj.

 

 

Ai shprehet se kjo sfidë nuk prek vetëm Tiranën, por edhe shumë qytete të zhvilluara europiane, si Milano, Berlini, Londra, apo Parisi. Madje, sipas tij, paradigma e çuditshme është që, sa më i suksesshëm qyteti, aq më kokëçarje e përditshme është trafiku.

 

 

“Ne besojmë tek ajo që quhet “demokracia e rrugës”. Në rrugët tona kalojnë makinat private, kalojnë autobusët, por kalojnë edhe pedaluesit, dhe mbi të gjitha këmbësorët, ata që nuk kanë makina, ose që pëlqejnë të ecin. A duhet që rrugët t’ia kushtojmë vetëm makinave, meqë janë më të mëdha dhe i bien më shumë borisë, apo mos është më e drejtë t’i ndajmë në mënyrë proporcionale për alternativat e ndryshme të lëvizjes, nga ecja e deri tek përdormi i automjeteve?”, pyeti ai.

 

 

Veliaj shpjegoi konceptin e “demokracisë së rrugës”, duke marrë shembull “Rrugën e Durrësit”.

 

 

“Dikur në ‘Rrugën e Durrësit’, automjetet dhe transporti urban ndanin bashkë të njëjtat korsi, duke mbuluar 60% të hapësirës. Kurse këmbësorët mbeteshin me 40% të hapësirës dhe infrastruktura e biçikletave ishte zero. Sot, ‘Rruga e Durrësit’ ka kaluar në një tipologji tërësisht të re, ku automjeteve u është ndarë më pak hapësirë, pra vetëm 26%, ndërsa transporti urban ka kaluar në 21% korsi të dedikuar. Hapësira e këmbësorëve në fakt mbetet e njëjta, 40% e pa prekur, ndërsa hapësira që ua kemi marrë makinave dhe e kemi kaluar për biçikletat, të cilat sot kanë 13% të hapësirës së lëvizjes, është një ndarje më demokratike e kësaj hapësire të lëvizjes dhe shumë herë më e drejtë se ajo që gjetëm, dhe meqë ra fjala, edhe me një trafik më të lirshëm në ‘Rrugën e Durrësit’”, sqaroi ai.

 

 

Por, Veliaj tha se synimi është shtimi i hapësirës për këmbësorët, e kjo aktualisht po realizohet në lagjet e reja, ku po merr jetë koncepti i qytetit ‘15-minutësh’.

 

 

“Aty ku kemi pasur mundësi që ta projektojmë një rrugë nga e para, siç është rasti i “Bulevardit të Ri” të Tiranës, ne kemi zbatuar tipologjinë që aspirojnë qytetet e së ardhmes, ku ndarja e hapësirës së lëvizjes është edhe më e barabartë, duke përfshirë edhe hapësira më të dedikuara për gjelbërimin, pra parqe lineare – një element të cilin, Tirana po e sjell çdo ditë e më afër qytetarëve të saj. Automjetet kanë vetëm 20%, pra edhe më pak hapësirë; transporti urban ka 12%, ndërkohë këmbësorët 30%, korsitë e biçikletave 3% dhe gjelbërimi zë hapësirën më të madhe prej 35% në të dy anët e ‘Bulevardit të Ri’”, u shpreh ai.

 

 

Ai shtoi se e njëjta gjë po bëhet edhe në Kombinat dhe te “5 Maji”, të cilat janë projektuar si lagje që gërshetojnë që në gjenezë lëvizjen në këmbë, me biçikletë, apo me makinë dhe që reflektojnë konceptin e “Qytetit 15-minutësh”, ku shërbimet dhe nevojat bazike janë të arritshme brenda një distance prej 15 minutash ecje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *