Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ironizuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron, duke iu referuar një videoje virale ku shfaqej bashkëshortja e këtij të fundit, Brigitte Macron, e cila godiste me shuplakë Macron.
Komentet e Trump erdhën para një fjalimi drejtuar popullit amerikan të mërkurën në mbrëmje, gjatë të cilit ai premtoi se ushtria ishte afër mposhtjes së Iranit dhe u zotua se do ta bombardonte Republikën Islamike dhe do ta kthente në Epokën e Gurit.
“Pastaj telefonoj Francën, Macron-in, të cilin gruaja e trajton jashtëzakonisht keq, ai ende po rikuperohet nga goditja në nofullën e djathtë,” bëri shaka presidenti amerikan.
“Dhe i them: ‘Emmanuel, do të donim shumë të kishim ndihmë në Gjirin Persik, edhe pse po vendosim rekorde në eliminimin e njerëzve të këqij dhe rrëzimin e raketave balistike, do të donim ndihmë… a mund të dërgoni anije menjëherë?’”
Presidenti amerikan më pas imitoi përgjigjen e Macron, duke përdorur një theks të rremë francez: “Jo, jo, jo, nuk mund ta bëj këtë Donald, mund ta bëjmë pasi lufta të fitohet.”
Ai vazhdoi: “I thashë: ‘Jo, nuk më duhen pasi lufta të fitohet, Emmanuel.’”
Gjatë fjalimit Trump u shpreh se SHBA është pranë mposhtjes së Iranit dhe paralajmëroi për masa të ashpra ndaj Teheranit.
Ai i bëri thirrje gjithashtu vendeve europiane të angazhohen më shumë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një zonë kyçe për tregtinë globale të naftës.





