Pamje dramatike tregojnë momentin kur nxënësit e një shkolle në provincën Nonthaburi, pranë Bangkokut, strehohen në klasë gjatë një sulmi me armë zjarri. Në video dëgjohen të shtënat, ndërsa nxënësit shihen duke u ulur poshtë bankave dhe duke kërkuar mbrojtje.
Sipas policisë tajlandeze, autori i sulmit ishte një adoleshent 14-vjeçar, i cili vrau pesë persona dhe më pas veten. Ngjarja ka tronditur Tajlandën dhe është ndër sulmet më të rënda me armë në vend që nga viti 2022.
Policia bëri të ditur se i riu kishte qëlluar të paktën 26 herë dhe u gjet me 34 fishekë të tjerë. Arma e përdorur në sulm, sipas autoriteteve, i përkiste gjyshit të tij.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën përreth Shkollës Debsirin, ndërsa vijojnë operacionet e emergjencës dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shkolla Debsirin është pjesë e një rrjeti institucionesh arsimore me degë në të gjithë Tajlandën dhe konsiderohet një nga shkollat me reputacion në sistemin arsimor të vendit.
Deri më tani, motivi dhe rrethanat që çuan në sulm mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet vijojnë mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të ndihmojnë në hetim.
/vizionplus.tv





