Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur sot sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Tiranë sot zbarkojnë 47 krerë shtetesh.
Me Rutte, kryeministri Rama bën me dije se kanë biseduar mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO.
“Kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë në Aleancë, sfidat e sigurisë në rajon dhe kontributin tonë aktiv në NATO”, shkruan Rama.
Mikpritësi i Samitit, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë gjatë ditës takime dypalëshe me personalitetet pjesëmarrëse, në mjediset e dedikuara, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte e më pas me Kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez; Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; Princin Sovran të Monakos Albertin II; Kancelarin e Austrisë Christian Stocker; Presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan; Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni; Presidentin e Qipros Nikos Christodoulides; Kryeministrin e Hollandës Dick Schoof; Kryeministrin e Belgjikës Bart de Wever, si dhe do të mirëpresë me takime duarsh të gjithë liderët e ftuar në Samit me të cilët do të ketë edhe një foto familjare./vizionplus.tv





