Në fund të procesit të vetingut, i cili për 7 vite me radhë skanoi çdo prokuror dhe gjyqtar të Shqipërisë, kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se ai është një prej proceseve më të korruptuara. Gjatë një konference me gazetarët Berisha akuzoi komisionerët e shkallës së parë të vetingut se zbatuan porositë e Partisë Socialiste dhe lanë qytetarët shqiptarë pa drejtësi.
“Vetingu është procesi më i korruptuar, më i kompromentuar që mund të jetë bërë ndonjëherë. Vetingu pati pasoja dramatike. U hoqi qytetarëve shqiptarë të drejtën për një proces ligjor të drejtë, duke krijuar një vakum vetëm e vetëm që drejtësia të vendosej nën kontroll. Ky vakum shkon në 14 vite për çështje civile dhe 10 vite për çështje penale”, tha Berisha.
Berisha akuzoi dy ish-ambasadorët Donald Lu të Shteteve të Bashkuara dhe Romana Vlahutin të BE, të cilët bënë betejë për miratimin e Reformës në Drejtësi.
“Kjo ishte reforma e Xhorxh Sorosit, një monstër e njerëzimit. Kjo ishte historia më e turpshme, atentati më i rëndë që iu demokracisë së një vendi, me të cilën ai donte që Edit të tij t’i dhuronte drejtësinë. Mos harro skenën në parlament të Donald Lu me Romana Vlahutin. Mbaje dhe shihe, kujto drejtësinë e tyre pastaj. Që të dy ushtarë të korruptuar të Xhorxh Sorosit”, tha kreu i PD.
Berisha kritikoi rolin e ri që merr SPAK-u dhe Altin Dumani si komisionerë publikë, të cilët nga 1 janari mund të ankimojnë vendimet e shkallës seë parë të vetingut.
“Kreu i një organizate kriminale, që unë shumë shpejt do nxjerr dokumentet këtu, merr në dorë për të verifikuar të tjerët, në një kohë kur ai për veprimtarinë e tij duhet të jetë në qeli. Ai fle mbi krimin, fsheh krimin”, tha Berisha.
Kryetari i PD, Berisha komentoi edhe vlerësimin që drejtuesi i SPAK-ut mori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kampion i luftës kundër korrupsionit.
“Antony Blinken e shpalli kampion se ishte autor i grushtit të shtetit që ndërmori vetë zoti Blinken kundër opozitës shqiptare. Altin Dumani hyri në lojë me urdhër po të diplomatëve amerikanë dhe të Edi Ramës në një kohë kur ata dështuan me forma të tjera, me formën e gostitjes më bar të demokratëve etj”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së është një nga kritikët më të ashpër të Reformës në Drejtësi, i cili nuk e ka fshehur se ditën që fiton zgjedhjet do të zhbëjë Reformën në Drejtësi./vizionplus.tv





