“Vetëvendosja e Albin Kurtit prin”, ethet e garës së 9 shkurtit, analisti: Do t’i duhet të bëjë koalicion për formimin e qeverisë
Ndërsa 9 shkurti po afron, ethet e garës parlamentare në Kosovë sa vijnë e ndihen më shumë.
Vetvëndosja, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Koalicioni për Kosovën Fituese vijojnë takimet intensive për të fiituar besimin e qytetarëve.
Për të folur për ecurinë e fushatës zgjedhore në Kosovë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetaren Melisa Mehmetaj ishte analisti Ylli Hoxha.
Analisti tha se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit është duke prirë, ndërsa theksoi se avantazhi në këto zgjedhje do të jetë më i vogël krahasur me vitin 2021 dhe do detyrohet të formojë koalicion.
Intervista e plotë
-Jemi pranë zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë. Çfarë risie ka kjo fushatë për zgjedhjet e 9 shkurtit që e bën të dallueshme nga fushatat e mëparshme?
Hoxha: E para risi është se kemi elektrizim më të madh të politikanëve dhe analistëve se sa kemi elektrizim të qytetarëve në terren. Do të thotë kjo jehona e fyerjeve, sharjeve, ngacmimeve nuk po dëgjohet te qytetarët dhe kjo besoj se është shenjë e mirë, sepse qytetarët kanë kuptuar se fushatat janë njëfarë performance teatrale e politikanëve, dhe jo çdokush duhet tu zërë besë.
-Pse veriu ka zënë një vend të rëndësishëm në aktivitetet e partive politike, kryesisht te Vetëvendosja?
Hoxha: Sepse ka pasur një përparim të theksuar në shtrirjen e sovranitetit të vendit në veri gjatë qeverisjes së zotit Kurti. Ka pasur një qasje ndryshe nga politikat e kaluara karshi dialogut. Nuk është toleruar një status quo në të cilin prania e institucioneve serbe është marrë si e mirëqenë në veri dhe besoj se krahasur me segmente të tjera ku ka premtime të mëdha në këtë pikë ka pasur arritje të cilat qytetarët i vlerësojnë. Në shumë prej segmenteve si shëndetësisa, arsimi nuk janë përmbushur synimet që ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj është e logjikshme që fushatën do ta përqendronte në veri.
-Po programet ekonomike ku janë përqendruar kryesisht?
Hoxha: Pak a shumë janë të ngjashme. Opozita thekson nevojën e shpenzimeve më efikase të parasë publike, por edhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Përderisa qeveria ka një program i cili është qeveritar dhe nuk mund të dalë përnjëherë me premtime të reja, opozita ka premtuar rritje me 50% në të gjithë spektrin e parave që lëshon shteti karshi punëtorëve, pensioneve dhe shtresave të tjera. Theksi gjithashtu është edhe tek investimet publike, të cilat kanë ngecur gjatë këtyre viteve. Nuk ka pasur ndonjë realizim të shpejtë të projekteve që janë të prekshme nga ana e qeverisë dhe këtu opozita rreh hekurin më shumë, duke premtuar më shumë rrugë dhe projekte kapitale.
-Si e parashikoni, kush mund të kryesojë në këto zgjedhje?
Hoxha: Çështja e fituesit nuk është çështje e diskutueshme. Besoj se është duke prirë Lëvizja Vetëvendosje, por ajo që besoj se do të ndodhë është se ky avantazh nuk do të jetë i ngjashëm me atë të vitit 2021. Pra do të ketë zvogëlim të avantazhit karshi partisë së dytë, të tretë dhe të katërt. Beteja në këto zgjedhje nuk është se kush do të jetë i pari por beteja është nëse Lëvizja Vetëvendosje do të mundet të bëjë qeveri vetëm apo do të detyrohet të gjejë partner. Besoj që në këtë betejë gjasat janë që Lëvizja Vetëvendosje mos të arrijë 500 mijë votat që ia ka vendosur vetes, por nëse do një mandat të dytë do të detyrohet të bëjë një partner nga aspekti opozitar i partive./vizionplus.tv




