“Kryeministri i ri i Kosovës do të jetë Ramush Haradinaj”, ka thënë kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, i cili shtoi se nuk ekziston asnjë alternativë që Haradinaj të mos jetë kryeministër i qeverisë së re në katër vitet e ardhshme.

 

“Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë. Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme”.

 

Gjatë një interviste për “Europa e Lirë”, i pyetur për krijimin e koalicionit qeverisës, Veseli u shpreh se në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni i prirë nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar bindshëm, dhe se koalicioni fitues është ai i PDK-së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë Nisma si dhe partnerë të tjerë të koalicionit. Por ai ka shtuar se institucionet duhet të krijohen sa më shpejt për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

 

Lidhur me kërkesat e Listës Serbe e cila kërkon një nga tre postet më të rëndësishme në qeveri, Veseli ka thënë se Beogradi ka marrë fund përfundimisht në Kosovë dhe se askush nuk do t’i nënshtrohet kësaj dëshire të Beogradit.

 

Kujtojmë se koalicioni i ish-krerëve të UÇK-së, ku kandidat për kryeministër është Ramush Haradinaj, doli fitues i zgjedhjeve të parakohshme të Kosovës pas mocionit të Nismas për rrëzimin e qeverisë Mustafa, Lëvizja Vetëvendosje doli e dyta, ndërsa koalicioni LDK-AKR-Nisma, doli i treti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *