Subscribe

Veriu i vendit po përballet me një situate të vështirë si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve. Problemet më të mëdha janë shfaqur në qarkun e Shkodrës.

Në Dajç niveli i ujit sipas shtabit të emergjencave ka tejkaluar kuotën maksimale.  Po ashtu rritje të nivelit ka pasur dhe në liqenin e Shkodrës dhe në lumin Drin.

Si rrjedhojë e prurjeve të shumta, janë përmbytur rreth 2000 hektarë tokë bujqësore.

Problematikat më të mëdha janë në njësinë administrative Ana e Malit. Rruga për në fshatin Obot është e kalueshme vetëm me varka pasi niveli i ujit shkon mbi një metër. Në këtë zonë ka pasur probleme dhe me furnizimin me energji elektrike.

Përmbytjet janë rikthyer edhe në qarkun Lezhë pasi prurjet e lumit Drin dhe atij Gjadër janë shtuar. Sipas shtabit të emergjencave afro 900 hektarë tokë janë nën pushtetin e ujit. Më problematike, paraqitet situata në Torovicë.

Ndërkohë në fshatin Zheje të Kurbinit katet e para të disa banesave janë përfshirë nga uji për shkak të daljes së lumit Droje nga shtrati.

Reshjet e dendura kane shkaktuar probleme edhe në disa zona të Fushë Krujës, ndërsa janë përmbytur banesat në fshatrat Derven, Mallkuç e Murqinë.

Edhe qarku i Dibrës po përballet me vështirësi.

 

DRITAN KURTI – GAZETAR

Prej pasdites të së hënës i gjithë qarku Dibër është përfshirë nga moti i keq. probleme janë shkaktuar në rrugë ku aski nacional Peshkopi-Kukës është i pakalueshëm për shkak të rrëshqitjes së dherave.

 

Ndërkohë disa fshatra në këtë qark vazhdojnë të jenë të bllokuar pasi trashësia e borës ka shkuar deri në 20 centimetra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *