E hënë, 9 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 47 minuta më parë
Video · Vendi

Verifikime dhe jo hetim për Saimir Tahirin

Pas pezullimit nga detyra të Haki Çakos dhe dy vartësve të tij, Prokuroria dërgoi në laboratorin shkencor të policisë së shkencore dy serverët e sekuestruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sipas hetuesve, ka dyshime të forta se materialet dhe dokumentet e ruajtura në kompjuterët e Drejtorit të Forcave Operacionale Artion Duka dhe oficerit Enton Xhelilaj, mund të hedhin dritë mbi mënyrën se si është përdorur pajisja e përgjimit “IMSI-CATCHER”. Edhe pse materialet e ruajtura në kompjuter mund të jenë fshirë theksojnë hetuesit, përsëri ato lënë gjurmë në sistem dhe mund të rikuperohen, duke u përdorur më vonë edhe si provë materiale. Pavarësisht se Haki Çako u pezullua nga detyra, burime nga grupi hetimorë sqaruan për Vizion Plus se, nuk ka asnjë hetim për Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por ndaj tij po kryhen vetëm verifikime në shkëmbimin e dokumentacioneve me vartësit e tij.
Pas këtij verifikimi në rast të konstatimit të ndonjë shkelje ligjore, kjo procedurë do t’i kalohet për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë për dy vartësit e Çakos, Gjykata caktoi masë sigurie arrest në shtëpi dhe me mbikëqyrje elektronike. Kjo masë shtrënguese u mor pasi Duka dhe Xhelilaj mund të ndikojnë në prishjen e provave të vlefshme për akuzën.
Gjithashtu po vijojnë hetimet për të provuar nëse, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të implikuar në të ashtuquajtur skandalin e përgjimeve.

Më shumë video

Reklamë