Subscribe

Ambasada amerikane në Tiranë ka zbardhur detaje nga takimi i Yuri Kim me përfaqësuesit e partive politike në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

 

 

Në një postim në faqen zyrtare, thuhet se drejtuesit e partive konfirmuan se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.

 

Takimet e Kim ishim me Damian Gjiknurin nga PS, Enkelejd Alibeajn nga PD dhe Ilir Metën nga Partia e Lirisë.

 

Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadorja Kim u takua sot me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare. Ajo iu kujtoi atyre vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it. Për shembull, në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të prillit 2021, rekomandimet e ODIHR përfshinin si më poshtë:

 

  • Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet.
  • Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.
  • Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.
  • Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë.

 

Drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.

 

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *