Gjashtë muaj pas mbylljes së hetimeve, seanca që do të vendoste për kalimin ose jo për gjykim të dosjes “Partizani” dështoi. Pas 4 orë e 30 minutash, vendimi nuk u arrit të merrej për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve.
Genc Gjokutaj, mbrojtësi ligjor i ish-kryeministrit Sali Berisha, u shpreh për mediat se në këtë proces duhet të thirret edhe kryeministri Edi Rama për të dëshmuar.
“Ne e ritheksuam mungesën e faktit penal, për të cilin kemi kërkuar pushimin e çështjes. Në dosje gjenden akte të pakomunikuara, ekspertë të palicensuar, firma të falsifikuara – të gjitha këto prokurori i dëgjon dhe hesht. Sali Berisha akuzohet, ndërkohë që Edi Rama nuk thirret, megjithëse është ai që ka hapur siparin e kësaj procedure, duke ndryshuar truallin e klubit ‘Partizani’. E kemi kërkuar që të thirret, por në seancë paraprake nuk mund të thirren dëshmitarë”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Gjokutaj nuk i kurseu komentet as për prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, ashtu si edhe për gjyqtaren e çështjes, Flojera Davidhi.
“Data kur mendoj se do të përfundojë seanca paraprake… Besoj dhe shpresoj që gjykata do të marrë kohën e saj për të dhënë një vendim. Në gjashtë muaj seanca paraprake, të jepet vendimi për 5 minuta kjo nuk është as serioze, as profesionale. Prokurorët dinë vetëm të heshtin,” shtoi ai.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK se ka shfrytëzuar postin e tij si kryeministër për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, me qëllim privatizimin e truallit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Të dy akuzohen për korrupsion në bashkëpunim, ndërsa Malltezi akuzohet gjithashtu për pastrim parash.
Vendimi për këtë çështje pritet të merret më 23 prill.
/vizionplus.tv





