Subscribe

Presidenti Ilir Meta ka vendosur që të shtyjë zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

 

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Meta duke u ndalur tek situata politike e krijuar dhe mos-reflektimi I asnjërës palë shprehet se ka vendosur që të shfuqizojë dekretin e zgjedhjeve.

 

Presidenti argumenton se ditën e hënë, më 10 qershor, do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.

 

Ai bën i gjithashtu thirrje opozitës së bashkuar që të evitojë çdo akt dhune në protestën e kësja të shtune.

 

1.Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë;

 

2.Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;

 

3.Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

 

4.Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;

 

5.Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;

 

Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

 

          Në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.

 

          U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune.

 

          Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës.

 

          Shqipëria e para!

          Shqipëria si gjithë Evropa!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *