Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë për Associated Press këtë të martë.
Ai ka zbuluar për herë të parë një bisedë që ka zhvilluar me Kushnerin dhe Ivanka Trump, sa i përket investimit në Zvërnec. Rama tha se propozimi i Kushnerit nisi rastësisht.
Ai kujtoi një darkë në jug të Shqipërisë me Kushnerin, bashkëshorten e tij Ivanka Trump dhe miq të tyre, të cilët kishin ndaluar në portin e Durrësit për të furnizuar me karburant varkën gjatë rrugës drejt Malit të Zi.
Disa muaj më vonë, shprehet Rama për Associated Press, Kushner iu afrua atij në një takim të liderëve botërorë dhe drejtuesve të biznesit në Davos, Zvicër, dhe shprehu interes për të investuar në Shqipëri.
“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të donim të gjenim një mundësi për të investuar”, kujtoi Rama se i kishte thënë Kushneri.
Një kompani investimesh e lidhur me Kushnerin ka marrë statusin e investitorit strategjik nga autoritetet shqiptare. Projekti luksoz ka dy komponentë: një zhvillim bregdetar në zonën e Lagunës së Nartës, e cila është një rezervat natyror, dhe një resort më të vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit, një bazë ushtarake e periudhës komuniste.
/vizionplus.tv





