Subscribe

Të jemi më të kujdesshëm në përdorimin e ujit të pijshëm. Kjo është këshilla që kryetari i Bashkisë së Tiranës i bën banorëve në këto ditë të nxehta vere. Apelin Veliaj e bëri gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për përmirësimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në Shkozë.

 

“Po hyjmë në një periudhë shumë të nxehtë dhe thatësire, ndaj u kërkoj të gjithë banorëve që të tregojnë kujdes me ujin e pijshëm. Është e vërtetë, Tirana ka ujin e pijshëm më të lirë në të gjithë Shqipërinë, por kjo nuk është arsye që ta shpërdorojmë atë. Këtë thirrje ua drejtoj gjithë banorëve, edhe atyre që jetojnë në pjesë të tjera më të ulëta të Tiranës, pra më larg Dajtit, të cilët spërkasin me ujë rrugën, bahçen e tyre, trotuarin, lajnë tapetet, ujisin dhe vadisin me ujë të pijshëm, që të tregojnë pak më shumë kujdes. Kur secili tregon kujdes mbetet më shumë ujë për fqinjin, për nipat dhe mbesat, që e kanë ndoshta shtëpinë në një cep tjetër të Tiranës. Na duhet kujdes nga të gjithë”.

 

Kryebashkiaku tha se punimet në këtë zonë do të vazhdojnë gjatë gjithë verës.

 

“Do të sigurohemi që kur njerëzit të vijnë nga vera të gjejnë, jo vetëm një zonë të urbanizuar, jo vetëm të ketë më shumë ujë të pijshëm, jo vetëm asfalt, por edhe ndriçim, gjelbërim dhe mos të ndihet një zonë që është në periferi, ndryshe nga një zonë që është në qendër të Tiranës. Në këto dy vite kemi bërë urbanizim, shtrim kanalizimesh, ujëra të zeza, ujëra të bardha, ujë të pijshëm si asnjëherë më parë”, tha Veliaj.

 

Ky investim do të sjellë përmirësim të cilësisë së shërbimit dhe të furnizimit me ujë të afro 4 mijë banorëve që jetojnë në një zonë që përbëhet nga familje të ardhura kryesisht nga rrethet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *