Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi fushatën e kundërshtarëve politikë, kur tha se kanë tre-katër ditë që rrinë vetëm në zyrë e bëjnë video, e nuk dalin në asnjë aktivitet.

 

“Ka ca ditë që nuk dalin nga zyra, që kur ndodhi ajo vakia në stadium, që e nxorën atë pensionistin vetëm duke u folur karrigeve. Ka tre-katër ditë që rrinë vetëm dhe bëjnë video nëpër Tik-Tok. Duhet me u thënë, dilni në fushatë se është shumë e rëndësishme të bëjmë debat. Duket sikur po kalojnë të tretat e stadiumit dhe po e trajtojnë si një vaki. Domethënë, të tretat, të shtatat, imagjino kur të vijnë të dyzetat e atyre. Është turp të identifikohesh me Saliun dhe Ilir Metën, dy kufoma, dy vjetërsira, dy rraqe, dy rrënoja morale të vendit tonë. Këta që janë kandidatët duhet të dalin pak nga shtëpia se kaloi vakia tani. Ndodhi çfarë ndodhi. Kishte më shumë njerëz për Ilir Metën se për Sali Berishën. Çfarë turpi për ta mbyllur karrierën në atë moshë”, tha Veliaj.

 

Ndër të tjera, kryebashkiaku Veliaj bëri me dije disa investime që do bëhen në Tiranë. “Jemi duke punuar dhe do ju vijmë me propozime edhe për atë që duam të bëjmë me stadiumin “Selman Stërmasi” dhe me pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Bashkia e mori një vendim për parkun e sportit “Dajti”, që është te Universiteti i Sporteve, dhe besoj do të jemi në fazën e apelimit të konkurrentëve për të parë kush është fituesi dhe për të filluar punën atje. Bëhet fjalë për të krijuar një pol edhe të Njësia 5, ku edhe “Sport Club Tirana” dhe “Futboll Club Tirana” të kenë ambientet e tyre. Gjithashtu, një projekt që na ka ardhur në minutë të fundit, bëhet fjalë për emërtimin e rrugës ‘István Schütz’, një albanolog i shquar hungarez. Ne kemi një raport të shkëlqyer me Hungarinë, që nga koha e Skënderbeut, dhe ne si Bashki e Tiranës, asistencën tonë kryesore e marrim nga Ujësjellësi i Budapestit. Na ndihmuan të dilnim nga falimenti. Na ndihmuan ta kishim ujin më të lirë se sa në Kamëz, kur drejtohej nga PD”, sqaroi Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *