Subscribe

Në sheshin para selisë së sotme të Kuvendit të Shqipërisë, aty ku 105 vite më parë burra e gra ngritën flamurin kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare, veteranë lufte dhe qytetarë, vendosën kurora me lule në monumentin që simbolizon këtë moment historik për kryeqytetin.

 

Veliaj u shpreh se ditë të tilla duhet të shërbejnë për të kuptuar se, ashtu si patriotë të qytetit të Tiranës 105 vite më parë morën përsipër të shpallnin pavarësinë e Tiranës, ashtu edhe sot qytetarë të saj duhet të shërbejnë për ta çuar Tiranën akoma më përpara në betejat e tjera me të cilat përballet sot njerëzimi, siç është varfëria.

 

 “Unë besoj se sot thirrja është të vazhdojë të jetë në avangardë, edhe për pavarësi të tjera, për pavarësinë nga varfëria, nga injoranca dhe besoj që Tirana do të vijojë të jetë kryeqytet jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i gjithë shqiptarëve. Më vjen mirë që kauza shqiptare sot është me fortë se kurrë dhe të gjitha burojnë nga energjia e Tiranës. Nëse kemi një kryeqytet që vazhdon me punë, një kryeqytet që vazhdon me entuziazëm, që vazhdon me optimizëm, kjo reflektohet kudo.”

 

Ai bëri të ditur gjithashtu se kryeqyteti ka rezervuar për të gjithë qytetarët e Tiranës, por edhe për të gjithë ata që festat e nëntorit do t’i kalojnë në Tiranë, një sërë aktivitetesh festive dhe që do të kulmojnë me Natën e Bardhë.

 

 “Do të vijomë me festimet në 28 nëntor, me ngritjen e Flamurit, në orën 10.00 paradite, ku ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë. Për herë të parë ngremë flamurin në sheshin e ri “Skënderbej”, pastaj gjatë gjithë ditës, do të kemi një sërë aktivitetesh. Nata e Bardhë do të rikthehet fuqishëm në Tiranë. Kemi koncerte, aktivitete të ndryshme, ndaj ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj energjie të Tiranës, për të kujtuar të parët tanë dhe për të kujtuar premtimin që i kemi bërë kësaj toke, që sa të kemi mundësi, pavarësisht pozicionit, secili të bëjë të pamundurën për t’i shërbyer vendit”

 

Kryebashkiaku iu uroi festat kombëtare edhe të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *